Po mbrojmë Amerikën nga Socializmi (me çdo kusht!)

Ka ardhur momenti historik. Amerika është në rrezik. Jo nga krizat ekonomike, jo nga borxhi publik, jo nga lobet gjigante… por nga Socializmi! Dhe kush po e mbron Amerikën? Një ushtri e re patriotësh: emigrantët e sapoardhur, që mezi kanë marrë green card-in dhe tashmë kanë marrë mbi supe fatin e botës së lirë.
Ata janë këtu për të shpëtuar Amerikën. Nga kush? Nga ide që, sipas tyre, po e shkatërrojnë vendin… ide që mbështeten nga disa prej kapitalistëve më të fuqishëm në planet.
Në Amerikë socializmin po e sjellin njerëzit që kanë më shumë prona sesa shumica ka fatura. Bill Gates, mes fermave të tij gjigante dhe investimeve globale, reflekton për barazinë sociale; Jeff Bezos, nga jahte që kushton sa buxheti i një qyteti , mendon për drejtësinë ekonomike; ndërsa Michael Bloomberg, me një perandori mediatike dhe pasuri marramendëse, kujdeset për “interesin publik”.
Dhe nga bota e teknologjisë, Mark Zuckerberg dhe Reed Hastings vazhdojnë të kontribuojnë për një sistem më “të barabartë”, ndërsa kontrollojnë kompani që vlejnë miliarda. Per disa bashkepatriotet tane , socializmi në Amerikë nuk vjen nga punëtorët me pankarta, por nga bordet drejtuese dhe vilat me pamje nga oqeani. Një revolucion i ri: ku ata që kanë më shumë, punojnë fort për t’i bindur të tjerët se duhet të kenë më pak.
Ata kanë parë gjithçka në Facebook dhe YouTube. Ata e dinë të vërtetën. Ata e kanë zbuluar komplotin. Dhe tani janë gati të mbrojnë Amerikën , një vend ku kanë ardhur para pak vitesh , nga një rrezik që, për çudi, nuk e kanë parë askund tjetër përveç në postime komentesh.
Ironia është e bukur:
Në një vend ku kapitalizmi prodhon miliarderë që mbështesin politika sociale, emigrantë të rinj ngrihen për të mbrojtur kapitalizmin… nga vetë kapitalistët.
Ata nuk votojnë për “socializëm”, thonë me krenari.
Ndërkohë përdorin rrugë publike, shkolla publike, polici publike, zjarrfikës publikë , por jo, jo… kjo nuk është socializëm. Kjo është “Amerika e vërtetë”.
Dhe kështu vazhdon beteja madhështore:
Një luftë epike kundër një ideje që askush nuk e ka parë qartë, por të gjithë janë të bindur se ekziston.
Në fund të fundit, ndoshta Amerika nuk ka nevojë të mbrohet nga socializmi.
Ndoshta ka nevojë të mbrohet nga absurdi.
