Po transportonin drogë nga Saranda drejt Greqisë, në pranga 3 shqiptarë! Ja skema që përdornin…
Policia greke ka goditur një rast të trafikut të drogës nga Saranda drejt Igumenicës, duke sekuestruar mbi 66 kilogramë marijuanë dhe arrestuar tre shtetas shqiptarë.
Operacioni u zhvillua nga oficerët e Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Igumenicë, në bashkëpunim me Departamentin e 2-të të Rojës Kufitare të Filatit, në kuadër të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit, efektivët ndaluan fillimisht një automjet që drejtohej nga një shtetas shqiptar. Nga kontrolli i ushtruar në automjet, u zbuluan dhe u sekuestruan 60 pako me marijuanë, me peshë totale 66 kilogramë e 742 gramë.
Në vijim të veprimeve hetimore, policia ndaloi edhe një automjet të dytë, në një vend tjetër, ku udhëtonin dy shtetas shqiptarë. Sipas hetimeve, këta të fundit kishin rolin e pararendësve të automjetit që transportonte drogën, duke lëvizur përpara tij me qëllim informimin e drejtuesit për praninë e mundshme të kontrolleve policore gjatë rrugës.
Tre të arrestuarit mësohet se janë të rinj dhe vijnë nga një zonë e Sarandës.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi dy automjetet e përdorura, një shumë prej 1,130 eurosh dhe katër telefona celularë. Në operacion dhe në kontrollet e zhvilluara ndihmuan edhe qentë antidrogë të policisë greke, “IKARUS” dhe “JERRY”.
Pas përfundimit të veprimeve paraprake, të tre shqiptarët, së bashku me dosjen e çështjes, u dërguan në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Thesprotisë, e cila do të vijojë procedurat ligjore ndaj tyre.
Ky është një tjetër rast i trafikut të drogës në aksin Sarandë-Igumenicë, një linjë që është vënë në fokus të autoriteteve greke. Gjatë 15 muajve të fundit, policia greke ka sekuestruar rreth 1.5 ton marijuanë në zonat e Igumenicës, Janinës, Kosturit, Follorinës dhe Selanikut.
Sipas të dhënave të bëra publike, rastet më të shpeshta janë regjistruar në trafikun nga Saranda drejt Igumenicës, ku pothuajse gjysma e sasisë së përgjithshme të drogës së sekuestruar në këto zona dyshohet se lidhet me këtë itinerar.