Policia kufitare e Serbisë nuk sqaron nëse Radoiçiqi e kaloi kufirin
Policia kufitare e Serbisë nuk ka sqaruar nëse Milan Radoiçiq e ka kaluar kufirin shtetëror, edhe pse ka reaguar për rastin e tij, siç raporton Telegrafi. Në reagim, policia kufitare sqaroi procedurat e kontrollit kufitar, duke theksuar: “Nënvizojmë se çdo person ndaj të cilit është shqiptuar ndalesë për kalimin e kufirit shtetëror ose për të cilin ekziston një kërkim aktiv policor, nuk mund ta kalojë ligjërisht kufirin shtetëror”, sipas citimit të përcjellë nga N1.
Reagimi erdhi në lidhje me udhëtimin e ish-zëvendëskryeministrit serb Aleksandar Vulin drejt Moskës, me një avion që më vonë u kthye në Beograd. Në të njëjtin reagim, policia kufitare përmendi edhe rastin e Radoiçiqit, por nuk konfirmoi nëse ai e ka kaluar kufirin.
Ndërkohë janë ngritur pyetje për vendndodhjen e Radoiçiqit, i cili dyshohet se është larguar nga Serbia për në Rusi, ndonëse gjykata i kishte marrë përkohësisht pasaportën dhe i kishte ndaluar largimin nga vendi. Gjykata e Lartë në Beograd ka urdhëruar paraburgimin e tij dhe lëshimin e një urdhër-arresti për shkeljen e ndalesës për largim nga vendi i banimit.
Radoiçiq është organizatori i sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023, ku u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, dhe ai ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulm.
Policia kufitare theksoi gjithashtu se kufizimi i lirisë së lëvizjes është kompetencë e organeve gjyqësore dhe se ajo nuk mund t’ia ndalojë lëvizjen askujt, përveçse kur kjo përcaktohet me ligj ose me vendim gjykate.