E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Futbolli ne Kosove›Pranoi tre gola, por Muric lavdërohet nga mediat italiane për paraqitjen ndaj Irlandës

Pranoi tre gola, por Muric lavdërohet nga mediat italiane për paraqitjen ndaj Irlandës

Portieri i Kosovës, Arijanet Muric, ka marrë vlerësime pozitive nga mediat italiane pas ndeshjes së fundit të “Dardanëve” në Dublin, edhe pse skuadra u mund 3-0 nga Republika e Irlandës, siç njofton Telegrafi.

Muric u rikthye titullar pas qëndrimit në stol në ndeshjen kundër Izraelit në Prishtinë, ndërsa mediumi “Sassuolonews”, i afërt me klubin e tij Sassuolo, shkruan se rezultati përfundimtar nuk e pasqyron plotësisht lojën e tij. Sipas këtij mediumi, portieri kosovar realizoi disa pritje të rëndësishme gjatë takimit.

Detyra e tij u bë edhe më e vështirë nga rrethanat e ndeshjes, pasi Kosova luajti me një futbollist më pak për më shumë se një orë, pas përjashtimit të Kreshnik Hajrizit. Presioni i vazhdueshëm irlandez e vendosi mbrojtjen kosovare nën provë të madhe, ndërsa Muric u detyrua të ndërhynte shpesh për të mbajtur gjallë shpresat e skuadrës.

Megjithatë, analiza italiane nuk e kursen portierin për një moment të ndeshjes. Si njollë në paraqitjen e tij përmendet aksioni i penalltisë së dytë, ku u vu në diskutim reagimi i tij në gjuajtjen e Molumbyt dhe kontakti pasues me Parrottin.

Pavarësisht disfatës dhe tre golave të pësuar, vlerësimi nga Italia mbetet një sinjal inkurajues për portierin 28-vjeçar, i cili deri më tani ka grumbulluar 54 paraqitje me fanellën e Kombëtares së Kosovës.

Lini një koment