Prokuroria e Vlorës konfiskon 16 milionë euro pasuri në “Ujin e Ftohtë”, u përfituan me dokumente të falsifikuara
Prokuroria e Vlorës ka konfiskuar pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 16 milionë euro në zonën e “Ujit të Ftohtë”, të cilat dyshohet se janë përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara. Pasuritë janë kaluar në pronësi të shtetit me vendim të gjykatës, pas kërkesës së organit të akuzës. Sipas Prokurorisë, hetimet zbuluan se për njohjen dhe kthimin e një sipërfaqeje prej 32 mijë metrash katrorë në zonën e “Ujit të Ftohtë” ishte përdorur një vendim gjyqësor i falsifikuar.
Pas përfitimit dhe regjistrimit të pronës në vitin 2009, janë kryer një sërë veprimesh juridike për ndarjen, tjetërsimin dhe kalimin e pasurisë në emër të personave të tretë, me qëllim fshehjen e origjinës së saj të paligjshme. Në këtë çështje është marrë i pandehur shtetasi me inicialet P.P., i akuzuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 186/2 dhe 187/1 të Kodit Penal.
Në përfundim të procesit gjyqësor, ai është dënuar me 7 vite burgim. Me kërkesë të Prokurorisë së Vlorës, gjykata vendosi gjithashtu konfiskimin e pronës fillestare prej 32 mijë metrash katrorë, si dhe të të gjitha pasurive të tjera që rrjedhin prej saj.
Pasuritë e konfiskuara përfshijnë:
Pasurinë nr. 431;
Pasurinë nr. 404;
Pasurinë nr. 311;
Pasurinë nr. 312;
Pasurinë nr. 41.263, me sipërfaqe 23.363 m²;
Pasurinë nr. 41.264, me sipërfaqe 1.000 m²;
Pasurinë nr. 41.361, me sipërfaqe 7.932 m²;
Pasurinë nr. 41.263/1, me sipërfaqe 1.126,13 m²;
Pasurinë nr. 41.108, me sipërfaqe 7.637 m².