Friday, 2 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Promovohet studimi monografik “Usta Josifi dhe sazet e Përmetit” e Niko Mihalit

Promovohet studimi monografik “Usta Josifi dhe sazet e Përmetit” e Niko Mihalit

Libri “Usta Josifi dhe sazet e Përmetit” me autor Niko Mihalin u promovua sot, në Bibliotekën Kombëtare, qendra “Sotir Kolea”, Tiranë.

Studimi monografik i kushtohet traditës së pasur të muzikës qytetare me saze të zonës së Përmetit, duke u fokusuar në figurën e usta Josif Shukollarit dhe instrumentistëve të tjerë që kanë lënë gjurmë në këtë trashëgimi kulturore.

Prof. asoc. dr. Holta Sina Kilica, përgjegjëse e Departamentit të Muzikologjisë në Universitetin e Arteve në Tiranë, e vlerësoi librin si një kontribut të veçantë në dokumentimin e traditës së sazeve të Përmetit. Ajo theksoi se studimi monografik i Niko Mihalit sjell një analizë të thelluar muzikologjike mbi figurën e Usta Josifit, duke e vendosur atë në qendër të një trashëgimie që ka shënjuar kulturën shqiptare. Sipas saj, ky botim është edhe një qasje e re shkencore që ndriçon rolin e instrumentistëve dhe ansambleve të sazeve në jetën muzikore të vendit. “Autori ka arritur të ndërthurë kujtesën kulturore me metodologjinë akademike, duke i dhënë kësaj tradite vendin e merituar në historinë e muzikës shqiptare,” u shpreh prof. asoc. dr. Sina.

Duke kujtuar mjeshtrin e madh të sazeve të Përmetit, Laver Bariun, ajo nënvizoi se arti i tij vazhdon te nxënësit, bashkëpunëtorët dhe te të gjithë ata që marrin përsipër ta përcjellin më tej. Prof. asoc. Sina solli në vëmendje rrugëtimin e sazeve të Përmetit, ku mjeshtri Josif ka interpretuar që nga bashkëpunimet me BBC World e deri në turne në Janinë, Torino, Nikshiq, Pragë, Zagreb, Prizren e qytete të tjera. Më tej, prof. asoc. dr. Sina vuri në dukje vlerësimet e muzikologut Eno Koço dhe akademikut Vasil Tole, ku ky i fundit thekson se madhështia e usta Laver Bariut nuk qëndron vetëm te arti që krijoi, por edhe te kujdesi për ta bërë atë të trashëgueshëm.

Autori ka përfshirë në libër edhe historinë e CD-së me 18 këngë të Hafize Leskovikut, të kënduara nga Adriana Thanasi dhe të shoqëruara nga klarinetisti Josif Shukallari me Sazet e Përmetit, në bashkëpunim me Klodian Qafokun, në gusht 2022.

Një dokument me vlerë është edhe lista e kabave dhe valleve të sazeve të Përmetit nga viti 1988 deri më 2025, që pasqyron një periudhë të gjatë veprimtarie dhe krijon një hartë të kujtesës muzikore.

Z. Shefqet Saliu e vlerësoi klarinetistin Josif Shukollari si një usta të klarinetës, i cili sipas specialistëve të kësaj fushe është ndër nxënësit më të spikatur të shkollës laveriane në trevën përmetare. Artistë, muzikologë dhe kritikë arti e konsiderojnë si një pasardhës të denjë të Laver Bariut.

Kompozitori Bilbil Hereni e cilësoi monografinë e autorit Mihali si një akt të rëndësishëm për dokumentimin e kulturës përmetare dhe për ruajtjen e identitetit muzikor shqiptar. Ai nënvizoi se Përmeti ka qenë gjithmonë një trevë e bekuar, ku gërneta dhe tingujt e sazeve kanë ruajtur shpirtin e vendit dhe e kanë mbrojtur nga harresa. “Ky libër është një poezi e gjatë për gërnetën, një arkeologji e shpirtit që nxjerr në dritë kujtime, emocione dhe rrugëtimin e mjeshtrit,” u shpreh ai.
Veprimtarinë promovuese e përshëndeti edhe Drejtori Artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Sokol Marsi,

Me këtë rast ai vlerësoi autorin Niko Mihali për monografinë kushtuar mjeshtrit Josif, duke falënderuar edhe akademik Vasil Tolen për librin studimor pararendës “Kabatë me gërnetë dhe violinë”, ku analizohet shkolla kombëtare e kabasë dhe roli i sazeve në muzikën popullore qytetare të Shqipërisë së Jugut.

Në fund, Sokol Marsi e vlerësoi autorin Niko Mihali për dokumentimin e trashëgimisë muzikore dhe i ftoi të pranishmit të ndiqnin pjesën “KABA”, që u interpretua nga orkestrina e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Akademiku Vasil Tole e vlerësoi librin e Niko Mihalit për faktin se i jep vendin e merituar Usta Josif Shukollarit dhe sazeve të tij, të cilët mbeten shtylla të identitetit muzikor përmetar. Ai vlerësoi veënërisht kontributin e klarinetistit në projektet e realizuara së fundmi, duke u ndalur te CD-ja me 18 këngë të Hafize Leskovikut, të kënduara nga Adriana Thanasi dhe të shoqëruara nga Sazet e Përmetit, të cilat deri më sot askush nuk kishte guxuar t’i interpretonte.
Akad. Tole nënvizoi se përmes këtij studimi ndriçohet roli i sazeve si bartës të një arti të vështirë dhe si formues të asaj që sot njihet si kabaja e Përmetit, e cila tashmë është pjesë e pasurisë botërore të mbrojtur nga UNESCO.

Libri u vlerësua më tej për mënyrën e hartimit dhe dokumentimit të trashëgimisë, duke siguruar që stilet, repertori dhe historitë e instrumentistëve të mos humbasin me kalimin e kohës.

Monografia e autorit Niko Mihali ndihmon në analizën e strukturës së sazeve, përbërjen e tyre me klarinetë, violinë, llautë, dajre, ndërveprimin mes instrumenteve dhe mënyrën se si muzika qytetare përmetare ka ndikuar në zonat e tjera të Shqipërisë së Jugut.

Lini një koment