Protestat studentore, Demo nga Kuvendi: Detyra e policisë ishte zbatimi i ligjit, ndërhyrja ishte proporcionale
Duke folur në Kuvend për situatën e krijuar mes policisë dhe protestuesve gjatë protestave në Tiranë, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, u shpreh se sulmet ndaj institucioneve shtetërore, institucioneve të pavarura dhe bizneseve private e kishin vendosur vendin në një situatë emergjente, jashtë çdo normaliteti.
Ai u shpreh se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë paqësisht, por theksoi se policia ka për detyrë të zbatojë ligjin dhe të mbrojë jetën, pronën dhe institucionet me veprime proporcionale.
Demo bëri me dije gjithashtu se gjatë protestave janë pezulluar 9 punonjës policie, 50 raste po shqyrtohen administrativisht nga AMP, ndërsa shtoi se po hetohen rastet e dhunës.
“Për sa i përket emergjencës, duhet të kuptojmë që në momentin që akti normativ ka dalë, institucionet shtetërore, Policia e Shtetit, bizneset private, institucionet e pavarura, Gjykata e Lartë, Gjykata e Apelit, Banka e Shqipërisë, kanë qenë nën një sulm barbar.
Nëse kjo është jo një situatë emergjente, unë nuk di se çfarë duhet të ndodhi në Tiranë për të kuptuar që dhuna që ushtrohet ndaj sistemit juridik, në fakt, është jashtë normalitetit.
Patjetër që ka pasur raste kur persona, të cilët kanë kryer akte dhune janë shoqëruar, patjetër që ka pasur reagim nga forcat e policisë për të ruajtur rendin kushtetues dhe zbatuar ligjin. Sepse ajo është detyrë e Policisë së Shtetit kur ka shkelje të ligjit, duhet të veprojë në proporcionalitet dhe absolutisht ju garantoj që qëndrimi im si Ministri i Brendshëm ka qenë konstant që në ditën 1, që Policia e Shtetit duhet të zbatojë ligjin, Policia e Shtetit duhet të tregojë masa proporcionale në reagim dhe në ato raste kur ka pasur tejkalim të proporcionalitetit, ne kemi marrë masat e duhura.
Mos të harrojmë që janë pezulluar 9 punonjës policie gjatë protestave. Mos të harrojmë që sot që ne flasim, agjencia për sa i përket kontrollit mbi Policinë e Shtetit ka 50 raste të cilat janë duke u hetuar nga pikëpamja administrative. E mos të harrojmë në të njëjtën kohë që Policia e Shtetit, dhe AMP-ja, janë duke bashkëpunuar me prokurorinë për raste të cilat janë regjistruar në prokurori për aktet e dhunës.
Nëqoftëse ne biem dakord për këtë, qytetarët kanë të gjithë të drejtën për të protestuar për çdo gjë kundër meje, kundër qeverisë, kundër kujtdo. Është e drejta e tyre. Dhe Policia e Shtetit duhet aty për ta garantuar këtë të drejtë kushtetuese. Dhe këtu nuk ka asnjë dyshim që nga dita e parë që jam Ministri i Brendshëm dhe deri tani jam i bindur që detyra jonë është të garantojmë këtë të drejtë.
Jam i bindur që çdo qytetar, kur ndodhet në vështirësi, e do Policinë e Shtetit të jetë aty, çdo qytetar që ndihet i dhunuar e do Policinë e Shtetit që të ushtrojë forcë proporcionale për të mbrojtur jetën e qytetarëve, pronën e qytetarëve. Po pse nuk duhet Policia e Shtetit të veprojë në mënyrë proporcionale kur ushtrohet dhuna e institucioneve?
Unë jam me të gjithë qytetarët të cilët protestojnë paqësisht dhe ju garantoj që si Ministri i Brendshëm, me të gjitha mekanizmat që kam në dispozicion, do të garantojmë këtë të drejtë”, u shpreh Demo.