E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Qeveria reagon pas aktgjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve: Drejtësia duhet të jetë transparente dhe e besueshme

Qeveria reagon pas aktgjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve: Drejtësia duhet të jetë transparente dhe e besueshme

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Qeveria ka theksuar se pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve gjyqësore janë parime themelore të sundimit të ligjit.

Megjithatë, në reagim është nënvizuar se këto parime nuk e përjashtojnë të drejtën dhe përgjegjësinë për të ngritur shqetësime lidhur me funksionimin e institucioneve të drejtësisë.

“Kritikat dhe rezervat që kemi shprehur vazhdimisht ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve të një gjykimi të drejtë”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Më tej, Qeveria ka theksuar se besimi në drejtësi nuk ndërtohet vetëm mbi vendimet që merren, por edhe mbi mënyrën se si arrihet deri tek ato.

“Drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e drejtë, transparente dhe e besueshme”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Qeveria ka ritheksuar kështu qëndrimin e saj për sundimin e ligjit dhe respektimin e plotë të të drejtave dhe garancive procedurale në proceset gjyqësore. /Telegrafi/

Lini një koment