Rama: Muzeu Arkivor, “Tempulli i Dokumenteve”
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Muzeu Arkivor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, të cilin e cilësoi si “Tempullin e Dokumenteve”.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama tha se Muzeu Arkivor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave është një hapësirë e re ku historia takohet me teknologjinë dhe vizitori e zbulon të shkuarën përmes dokumenteve, imazheve, zërit dhe ndërveprimit.
Muzeu Arkivor, i inauguruar në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, sjell historinë dhe trashëgiminë dokumentare më pranë publikut, veçanërisht brezit të ri.
Ndryshe nga një muze tradicional, Muzeu Arkivor është konceptuar si një muze i dokumenteve, ku historia rrëfehet përmes dëshmive të shkruara, fotografive, hartave, botimeve, dorëshkrimeve dhe materialeve që kanë shoqëruar jetën e shoqërisë shqiptare ndër vite.
Në sallat e muzeut vizitori mund të shohë nga afër dokumente dhe materiale të rralla, ndërsa ekspozimi krijon një rrëfim që nis nga dokumentet e hershme dhe vijon përmes zhvillimeve të ndryshme të jetës shoqërore, kulturore dhe institucionale në Shqipëri.
Me hapjen e tij, Muzeu Arkivor bëhet një nga hapësirat më të reja muzeale në Tiranë, duke sjellë në një formë të re një pjesë të historisë së vendit: jo përmes objekteve të zakonshme muzeale, por përmes gjurmëve autentike që kanë mbetur në letër, në fotografi, në harta dhe në dokumente.