E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Rama: Prokurimi publik do ketë administratën e vet! Nxisim pushtetin vendor të kalojë drejt Prokurimeve të Përqendruara

Rama: Prokurimi publik do ketë administratën e vet! Nxisim pushtetin vendor të kalojë drejt Prokurimeve të Përqendruara

Kryeministri Edi Rama deklaroi qeveria synon ngritjen e një administrate të mirëfilltë për prokurimet publike, duke vendosur theksin te specializimi dhe krijimi i një strukture të dedikuar për menaxhimin e procedurave.

“Në prag të anëtarësimit në BE, synojmë të ngremë administratën e prokurimeve publike në një nivel të ri. Prokurimi publik të ketë administratën e vet të mirëfilltë dhe të mos jetë më një sistem ku shumë njerëz përfshihen në komisione prokurimi dhe shpesh gabojnë, qoftë edhe nga padija. Krijimi i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara ka dëshmuar vlerën që ka ky synim i specializimit dhe i konsolidimit të një administrate të posaçme për prokurimet”, tha Rama

Rama theksoi se modeli i prokurimeve të përqendruara synon të lehtësojë barrën administrative dhe burokratike të institucioneve, duke e zhvendosur procesin jashtë ministrive.

Ai bëri të ditur se kjo skemë synohet të shtrihet edhe në pushtetin vendor, ku bashkitë do të nxiten të përdorin prokurimet e përqendruara për të ulur kostot.

“Ne kemi nevojë të çlirojmë peshën e procedurave dhe burokracive nga zyrat e çdo agjencie, pasi kemi hequr tërësisht prokurimet nga ministritë. Me përjashtim të disa prokurimeve shumë specifike që lidhen me sigurinë kombëtare, çdo gjë tjetër nuk është më në duart e ministrive. Dhe kjo do të zbresë deri poshtë dhe do të nxisim pushtetin vendor të shkojë drejt prokurimeve të përqendruara, me kosto shumë më të vogla”, tha Rama.

Lini një koment