E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Reforma zgjedhore, Balla thirrje PD: Të miratojmë ligjin për financimin e partive dhe depolitizojmë komisionet. Dakord që numërimi të bëhet në qendrat e votimit

Reforma zgjedhore, Balla thirrje PD: Të miratojmë ligjin për financimin e partive dhe depolitizojmë komisionet. Dakord që numërimi të bëhet në qendrat e votimit

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kërkuar përshpejtimin e reformës zgjedhore, duke theksuar se është koha që palët politike të ecin përpara me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla deklaroi se periudha kur reforma zgjedhore mbahej peng nga mungesa e dakordësisë politike ka përfunduar.

Ai u ndal edhe te ligji për financimin e partive politike, për të cilin shprehu shpresën që të miratohet me konsensus, brenda këtij sesioni parlamentar.

“Duhet të ecim përpara me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Koha kur mund ta mbanit peng këtë reformë ka përfunduar. Ligjin për financimin e partive urojmë ta votojmë së bashku dhe duhet ta mbyllim brenda këtij sesioni parlamentar”, u shpreh Balla.

Sa i përket depolitizimit të komisioneve zgjedhore, ai tha se ky proces duhet të realizohet në interes të qytetarëve dhe në përputhje me rekomandimet përkatëse.

“Depolitizimin e komisioneve zgjedhore duhet ta bëjmë për shqiptarët dhe sipas rekomandimeve. Koha kur partitë politike vetë votonin dhe vetë numëronin duhet të marrë fund. Duhet të ecim përpara me këtë proces. E kemi një formulë të negociuar prej shtatë vitesh, le të ecim përpara. Më 30 nëntor mbaron mandati i Komisionit të Posaçëm. Kemi 13 vite duke e shtyrë nga gjashtë muaj dhe nuk duhet të harrojmë se më 9 maj janë zgjedhjet”, tha Balla.

Ai ngriti edhe çështjen e përdorimit të teknologjisë në zgjedhje, duke kundërshtuar qëndrimet kundër votimit dhe numërimit elektronik. Sipas Ballës, votimi elektronik është testuar me sukses dhe do të ishte e rëndësishme që në zgjedhjet e vitit 2027 të mundësohej aplikimi i tij.

“Nuk e kuptoj pse kundërshtoni teknologjinë në zgjedhje, votimin dhe numërimin elektronik. E kemi pilotuar në mënyrë të suksesshme dhe do të ishte shumë mirë që në vitin 2027 të kishim votim elektronik. Ne do të pranonim edhe numërimin në qendrat e votimit, në mënyrë që rezultati të merret vesh që në darkë”, tha Balla.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment