Rekuiem për vizitën e një kryeministri!

Një ditë pas vizitës së Kryeministrit në Detroit, pasi janë fikur dritat, ështe davaritur tymi i makinave, dhe janë zbrazur sallat dhe fotografitë kanë marrë rrugën e tyre në Facebook, me vjen në mendje një pyetje fare e thjeshtë:
A është diaspora shqiptare e Michiganit sot më mirë se dje? më e bashkuar? Më e respektuar? Më e dëgjuar?
Apo thjesht patëm edhe një shfaqje politike, ku diaspora shërbeu si sallë, dekor dhe sfond fotografish?
Reagimet në rrjetet sociale tregojnë se vizita la pas një komunitet që debaton me veten, që ndahet e përplaset për një politikë që zhvillohet mijëra kilometra larg tij.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja që organizatorët dhe entuziastët e fotografive duhet t’ia bëjnë vetes:
Çfarë fitoi diaspora? Jo Kryeministri apo organizatorët as ata që siguruan një fotografi, një shtrëngim duarsh apo disa minuta pranë pushtetit per llogaritë e tyre.
Diaspora. Çfarë fitoi ajo? Nuk eshte hera e pare (dhe s’do te jete as e fundit) qe përdoret si dëshmi popullariteti sa herë një politikan nga Tirana kalon Atlantikun. Por sot me teper se kurre nuk ka nevojë për importimin në Michigan të ndasive politike të Shqipërisë. Dhe aq më pak ka nevojë të shndërrohet në skenografi për politikën e ditës.
Sot, një ditë më pas, mes nje komuniteti që nuk duket se ështe më koheziv se dje, dhe që eshte gati te zhytet ne hallet e punet e përditshme gjithkush që jeton ketu ka te drejte te mendoje: A ishte kjo një vizitë për diasporën, apo diaspora ishte thjesht e nevojshme për vizitën?
Përgjigjen nuk ka pse ta japë Kryeministri.
Po e jep vetë diaspora.