Restaurimi i Teqesë së Koshtanit, Gonxhja: Ruajtja e trashëgimisë është detyrim shtetëror
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja e cilësoi restaurimin e Teqesë së Koshtanit, një investim që dëshmon angazhimin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Teqeja e Koshtanit, në Memaliaj, është Monument Kulture e cila po i nënshtrohet restaurimit dhe konservimit. Kjo teqe mbart vlerat e traditës bektashiane si dhe ka dhënë një kontribut të çmuar për arsimin shqip me hapjen, në vitin 1908, të shkollës së parë shqipe në krahinën e Tepelenës.
Përmes kësaj ndërhyrjeje, financuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, ndalet degradimin dhe mbrohet autenticiteti i monumentit. Ministri Gonxhja u shpreh se, restaurimi përmbush përgjegjësinë për t’ua përcjellë këtë pasuri brezave të ardhshëm.
“Po e çojmë përpara këtë angazhim me investime konkrete, sepse ruajtja e trashëgimisë është detyrim shtetëror dhe pjesë e vizionit tonë për zhvillimin kulturor, shoqëror dhe ekonomik të komuniteteve”, u shpreh kreu i MTKS, Gonxhja.
Teqeja e Koshtanit, e themeluar në vitin 1807, ka një rëndësi të veçantë historike dhe shpirtërore. Projekti për restaurimin dhe konservimi i saj, i hartuar nga IKTK dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, parashikon konsolidimin strukturor të objektit, restaurimin e çatisë me rrasa guri, rikuperimin e elementeve drusore origjinale, restaurimin e dyshemeve dhe tavaneve, si dhe trajtimin e fasadave për mbrojtjen afatgjatë të monumentit.