Rindërtimi në Tiranë, Demo: 1.8 miliardë lekë për përshpejtimin e procesit, familjet e prekura nga tërmeti nuk duhet të vazhdojnë të presin
Përshpejtimi i procesit të rindërtimit dhe zgjidhja e problematikave që kanë penguar ecurinë e punimeve në Kombinat dhe në lagjen “5 Maji” ishin në fokus të mbledhjes së grupit të punës, të drejtuar sot nga ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, siç njofton Shqiptarja.com.
Gjatë mbledhjes, grupi i punës diskutoi ecurinë e projekteve të rindërtimit në këto dy zona dhe masat e nevojshme për përshpejtimin e procesit, me qëllim që banorët e prekur nga tërmeti i vitit 2019 të pajisen sa më shpejt me banesat e tyre. Ministri bëri me dije se 1.8 miliardë lekë janë alokuar për përshpejtimin e rindërtimit në Kombinat dhe te “5 Maji” dhe se fondi është tashmë i disponueshëm për institucionet e përfshira.
“Këto janë familje që kanë pritur me vite të tëra për të marrë një zgjidhje dhe nuk duhet të vazhdojnë të presin”, theksoi Demo, duke falënderuar Bashkinë e Tiranës dhe strukturat e saj për bashkëpunimin e ngushtë në këtë proces dhe duke kërkuar angazhim e koordinim maksimal mes institucioneve.
Në përfundim të mbledhjes, grupi i punës vendosi të intensifikojë bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse, në mënyrë që procesi i rindërtimit të përfundojë brenda afateve të përcaktuara dhe familjet e prekura nga tërmeti të kthehen në banesat e tyre sa më shpejt.