SHBA – “Anthropic” realizon IPO-n më të madhe ndonjëherë prej 81,3 miliardë dollarësh
SAN JOZE (Kaliforni), 19 nëntor /ATSH-DPA/ – Kompania amerikane e inteligjencës artificiale “Anthropic” ka realizuar ofertën publike fillestare (IPO) më të madhe të regjistruar ndonjëherë, duke siguruar 813 miliardë dollarë nga shitja e aksioneve.
Me këtë rezultat, ajo ka kaluar rekordin e mëparshëm prej 75 miliardë dollarësh, të vendosur nga “SpaceX” e Elon Musk.
“Anthropic”, një nga rivalët kryesorë të “OpenAI”, nisi sot tregtimin në bursë me një vlerësim fillestar prej rreth 1,5 trilion dollarësh.
Kompania shiti 980 milionë aksione me çmimin 83 dollarë për aksion, duke tejkaluar planin fillestar prej 825 milionë aksionesh.
Kërkesa e jashtëzakonshme nga investitorët bëri që të rritej numri i aksioneve të ofruara, ndërsa çmimi përfundimtar ishte më i lartë se intervali i parashikuar prej 70 deri në 78 dollarësh.
Përveç ofertës kryesore, “Anthropic” po shet edhe rreth 26 miliardë dollarë aksione drejtpërdrejt te investitorët, duke e çuar vlerën totale të transaksionit në më shumë se 107 miliardë dollarë.
Interesi i investitorëve ishte jashtëzakonisht i lartë, me kërkesë që, sipas CNBC, arriti rreth 500 miliardë dollarë.
Aksionet nisën tregtimin me një rritje prej më shumë se 34%, duke arritur 111,50 dollarë dhe duke e çuar vlerën e tregut të kompanisë në afërsisht 2 trilion dollarë.
Megjithatë, gjatë sesionit të parë në bursë, çmimi pësoi luhatje dhe në disa momente zbriti pranë nivelit të 100 dollarëve.
Ky sukses përbën një moment historik për industrinë e inteligjencës artificiale, pasi dëshmon besimin e madh të investitorëve te potenciali ekonomik i kësaj teknologjie.
Megjithatë, “Anthropic” ka regjistruar deri tani humbje të konsiderueshme dhe planifikon të investojë qindra miliarda dollarë në infrastrukturë, veçanërisht në qendrat e të dhënave dhe kapacitetet kompjuterike.
Kjo ngre pikëpyetje nëse investimet gjigante në inteligjencën artificiale do të sjellin fitime të mjaftueshme në të ardhmen.
“Anthropic” u themelua më pak se gjashtë vjet më parë nga një grup ish-punonjësish të “OpenAI”, të udhëhequr nga Dario dhe Daniela Amodei.
Themeluesit u larguan nga kompania që krijoi “ChatGPT” për shkak të shqetësimeve se nuk po i kushtohej vëmendje e mjaftueshme rreziqeve të inteligjencës artificiale.
Kompania u përqendrua kryesisht te bizneset dhe institucionet publike, ndërsa asistenti i saj Claude tashmë konkurron drejtpërdrejt me ChatGPT, si dhe me produktet e Google, Microsoft dhe Meta.