SHBA – Një 25-vjeçar humb jetën pas një sulmi me thikë në Bronks, plagoset edhe një grua
NJU JORK – Një 25-vjeçar humbi jetën dhe një grua 24-vjeçare mbeti e plagosur pas një sulmi me thikë dje në mbrëmje, në lagjen Belmont të Bronksit, në Nju Jork, sipas “New York Post”.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:40, jashtë një dyqani në adresën “2268 Webster Avenue”, ku, sipas policisë, burri u godit disa herë me thikë në pjesën e barkut, ndërsa gruaja u plagos në këmbën e majtë.
Të dy të plagosurit u transportuan me urgjencë në spitalin “Saint Barnabas”.
Burri ndërroi jetë në spital, ndërsa gruaja ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Rrethanat dhe motivet e sulmit mbeten ende të paqarta. Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse policia ka identifikuar ose arrestuar autorët e dyshuar.
Hetuesit kanë ekzaminuar vendngjarjen, si dhe një ambient në hollin e një pallati aty pranë, ku janë konstatuar gjurmë gjaku, rroba dhe pajisje mjekësore.
Një banore e zonës u shpreh e habitur nga ngjarja, duke thënë se lagjja zakonisht, është e qetë dhe se ndihet e sigurt kur del jashtë me fëmijët e saj.
Ngjarja vjen pas dy vrasjeve të tjera të raportuara në Bronks gjatë fundjavës, duke e çuar në tre numrin e viktimave të vrasjeve në këtë zonë brenda dy ditësh. /