E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHBA – Shtëpia e Bardhë: Nuk ka kërcënime të besueshme nga Irani ndaj zyrtarëve amerikanë

SHBA – Shtëpia e Bardhë: Nuk ka kërcënime të besueshme nga Irani ndaj zyrtarëve amerikanë

– Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se aktualisht nuk ka kërcënime të besueshme nga Irani ndaj territorit amerikan, pas raportimeve të medieve amerikane, se Teherani po shqyrton mundësinë e sulmeve kundër zyrtarëve të lartë të administratës së presidentit, Donald Trump.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Lauren Bis, deklaroi për rrjetin televiziv CNN, se autoritetet amerikane po monitorojnë të gjitha kërcënimet e mundshme, por deri më tani nuk kanë identifikuar ndonjë rrezik të besueshëm ndaj territorit të vendit.

“Ne po monitorojmë të gjitha kërcënimet e mundshme, por aktualisht nuk ka kërcënime të besueshme ndaj territorit amerikan”, deklaroi Bis.

Reagimi i saj erdhi pas një raportimi ekskluziv të CNN, i cili, duke iu referuar shtatë zyrtarëve amerikanë, bëri të ditur se inteligjenca amerikane ka identifikuar, plane të mundshme të Iranit për të goditur zyrtarë të lartë të administratës Trump, në Uashington.

Sipas burimeve të cituara nga CNN, planet e dyshuara parashikojnë mundësinë e përdorimit të një bombe të ashtuquajtur “Dirty Bomb”, e cila përhap materiale radioaktive përmes një shpërthimi konvencional, ose të armëve kimike.

Burimet thanë se informacionet e mbledhura nga shërbimet amerikane, përmbajnë edhe vendndodhje dhe objektiva të mundshëm në kryeqytetin amerikan.

Megjithatë, sipas zyrtarëve të cituar nga CNN, këto zhvillime nuk nënkuptojnë se sulmi është i afërt. Ata i përshkruan planet e dyshuara si përpjekje të Iranit, për të mbajtur të hapura disa mundësi veprimi, ndërsa brenda institucioneve amerikane vijojnë diskutimet nëse Teherani ka kapacitetin dhe synimin për t’i realizuar ato.

Raportimi ka nxitur autoritetet amerikane të përgatisin skenarë të mundshëm reagimi dhe masa parandaluese për të përballuar çdo situatë të mundshme.

Ndërkohë, shqetësimet për sigurinë janë shtrirë edhe te personeli ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme. Sipas CNN, shërbimet amerikane po shqyrtojnë gjithashtu, mundësinë e përdorimit të armëve kimike kundër trupave amerikane të dislokuara në rajon.

Nga ana tjetër, misioni diplomatik i Iranit pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka hedhur poshtë akuzat lidhur me përdorimin e mundshëm të armëve kimike, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të fabrikuara.

Ndërsa Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së nuk pranoi të komentojë mbi informacionet e publikuara.

Raportimet vijnë në një periudhë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, në sfondin e përplasjes ushtarake dhe bllokadës ekonomike amerikane ndaj Iranit. /

Lini një koment