E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHENZHEN – Carney: Do të takohem me Trump për bisedime tregtare në samitin e APEC-ut

SHENZHEN – Carney: Do të takohem me Trump për bisedime tregtare në samitin e APEC-ut

SHENZHEN, 18 nëntor /ATSH-DPA/ – Kryeministri kanadez, Mark Carney deklaroi sot se do të takohet më vonë gjatë ditës me presidentin amerikan, Donald Trump për të diskutuar çështjet tregtare.

Deklarata e Carney erdhi përpara samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që po zhvillohet në qytetin Shenzhen, në jug të Kinës. Deri tani, pala amerikane nuk e ka konfirmuar takimin.

Trump udhëtoi nga Filipinet drejt Shenzhenit për të marrë pjesë sot në samit.

Tarifat doganore të vendosura nga Trump, kanë ushtruar presion mbi ekonominë kanadeze, duke e nxitur Carney, të kërkojë marrëdhënie më të ngushta me partnerë të tjerë tregtarë dhe të ulë varësinë e vendit nga tregu amerikan.

Përpara samitit të APEC-ut, Kanadaja njoftoi lehtësimin e disa tarifave tregtare me Kinën.

Ekonomitë e Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë të ndërthurura ngushtë, por negociatat për një marrëveshje tregtare mes dy vendeve, u bllokuan pas disa muajsh bisedimesh.

I pyetur se përse Kanadaja mund të arrijë një marrëveshje me Kinën, por jo me Uashingtonin, Carney shpjegoi se marrëdhënia tregtare e vendit të tij me SHBA-në, ishte shumë më komplekse.

Ai tha se në bisedimet e mëparshme ishte bërë përparim, por procesi shpesh kishte qenë një hap përpara dhe një hap prapa.

“Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të arritur këtë marrëveshje, por vetëm nëse ajo është në interes të kanadezëve”, deklaroi Carney. /

Lini një koment