E enjte, 19 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHENZHEN – Trump kritikon Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe kërkon bashkëpunim me Kinën e Rusinë kundër saj

SHENZHEN – Trump kritikon Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe kërkon bashkëpunim me Kinën e Rusinë kundër saj

– Gjatë fjalës së tij në nisje të takimit tripalësh, presidenti amerikan, Donald Trump kritikoi ashpër Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN) dhe sugjeroi që SHBA-ja, Rusia dhe Kina të bashkëpunojnë për të kundërshtuar veprimtarinë e saj, sipas “Reuters”.

“Një tjetër fushë ku mund të bashkëpunojmë është mbrojtja e sovranitetit të vendeve tona nga organizata ndërkombëtare të pakontrolluara, të drejtuara nga ideologjia globaliste, si Gjykata Penale Ndërkombëtare”, deklaroi Trump, duke iu drejtuar presidentit kinez Xi Jinping dhe atij rus Vladimir Putin.

Ai pretendoi se gjykata ka dalë jashtë kontrollit dhe se ka tejkaluar ndjeshëm kompetencat e saj.

Administrata Trump vendosi sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare muajin e kaluar. Presidenti amerikan ka mbajtur prej kohësh një qëndrim kundërshtues ndaj këtij institucioni, i krijuar në vitin 2002 për të ndjekur penalisht personat përgjegjës për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Në vitin 2023, gjyqtarët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare lëshuan një urdhërarresti për presidentin rus, Vladimir Putin, i cili akuzohet për krim lufte lidhur me deportimin e paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina. Rusia i ka mohuar këto akuza.

Nga ana tjetër, Uashingtoni ka kritikuar gjykatën edhe për urdhërarrestet e lëshuara ndaj zyrtarëve izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, si dhe për hetimin lidhur me veprimet e ushtarëve amerikanë në Afganistan.

Gjykata nuk ka polici të vetën për të ekzekutuar urdhërarrestet dhe mbështetet te 125 shtetet anëtare për zbatimin e tyre. Ajo ka në dispozicion vetëm mjete të kufizuara diplomatike për të ushtruar presion ndaj vendeve që refuzojnë të bashkëpunojnë. /

Lini një koment