SHENZHEN – Xi i kërkon SHBA-së të mbajë qëndrimin e duhur për Tajvanin, për të shmangur tensionet me Kinën
– Përpara takimit tripalësh me presidentin rus, Vladimir Putin, presidenti amerikan, Donald Trump, dhe presidenti kinez, Xi Jinping, zhvilluan edhe një takim dypalësh.
Sipas agjencisë shtetërore kineze të lajmeve “Hsinhua”, Xi i kërkoi SHBA-së të bëjë “gjënë e duhur” lidhur me Tajvanin, për të shmangur përkeqësimin e marrëdhënieve mes Pekinit dhe Uashingtonit.
Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj, megjithëse ishulli qeveriset në mënyrë të pavarur dhe ka një sistem demokratik.
Pekini ka rritur presionin ushtarak ndaj tij dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake për ta vënë nën kontroll.
Xi tha se marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA-së, kanë qenë përgjithësisht të qëndrueshme dhe se të dyja vendet duhet të zgjerojnë fushat e bashkëpunimit dhe të pakësojnë mosmarrëveshjet, duke trajtuar në mënyrë konstruktive, çështjet për të cilat nuk kanë ende një qëndrim të përbashkët.
“Pres të punoj me presidentin Trump për të vazhduar drejtimin e marrëdhënieve mes Kinës dhe SHBA-së dhe për të garantuar që kjo “anije e madhe” të ndjekë gjithmonë kursin e duhur”, deklaroi Xi.
Agjencia “Hsinhua” e cilësoi takimin si pozitiv dhe konstruktiv, duke raportuar se të dyja palët ranë dakord të hartojnë, një plan veprimi për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
SHBA-ja është mbështetësja më e rëndësishme ndërkombëtare e Tajvanit, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Megjithatë, pas takimit me Xi në Pekin, në muajin maj, Trump deklaroi se po e shtynte vendimin për një shitje të re armësh për Tajvanin, duke e cilësuar këtë çështje si një “kartë të mirë negociuese”. /