Shiroka Pula në kremtimin e Ditës së Falënderimeve në Bondsteel: Mirënjohje e përhershme për miqësinë dhe mbështetjen amerikane
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, së bashku me të ngarkuarën me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati mori pjesë në kremtimin e Ditës së Falënderimeve në kampin Bondsteel.
Në fjalën e saj, Presidentja Shiroka Pula theksoi se Dita e Falënderimeve simbolizon mirënjohjen, solidaritetin dhe vlerat e përbashkëta. Ajo ritheksoi mirënjohjen e përhershme të popullit të Kosovës për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në ditët më të vështira të historisë së vendit, në rrugën drejt lirisë dhe në ndërtimin e shtetit.
Presidentja shprehu falënderim të veçantë për gratë dhe burrat e ushtrisë amerikane, të cilët prej afro tri dekadash kontribuojnë në sigurinë dhe paqen e Kosovës, duke shërbyer larg familjeve të tyre.
Ajo theksoi se edhe Kosova i konsideron pjesëtarët e ushtrisë amerikane pjesë të familjes dhe se përkushtimi e sakrifica e tyre kanë krijuar lidhje të veçanta me vendin dhe qytetarët.
Në emër të qytetarëve të Kosovës, Presidentja Shiroka Pula i falënderoi për shërbimin, përkushtimin dhe sakrificën, duke ritheksuar se miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një vend të përhershëm në zemrat e qytetarëve të Kosovës.
Ajo theksoi se Kosova do të vazhdojë ta ruajë dhe ta forcojë këtë miqësi. /Telegrafi/