E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Shteti fiton miliona nga pronat e sekuestruara, sa u arkëtuan në 10 muaj?

Shteti fiton miliona nga pronat e sekuestruara, sa u arkëtuan në 10 muaj?

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka arkëtuar 224.9 milionë lekë nga dhënia me qira e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara gjatë periudhës janar–tetor 2026.

Të ardhurat kanë shënuar një rritje prej 25.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u regjistruan 179.7 milionë lekë.

Në vlerë absolute, arkëtimet janë rritur me 45.2 milionë lekë. Sipas të dhënave financiare të Agjencisë, të ardhurat kanë qenë më të larta se një vit më parë në nëntë nga dhjetë muajt e analizuar.

Rritja më e madhe u regjistrua në muajin maj, me 23.7 milionë lekë të ardhura, nga 14.1 milionë lekë në të njëjtin muaj të vitit 2025. Ndërkohë, në gusht arkëtimet arritën në 29 milionë lekë, kundrejt 19.1 milionë lekëve një vit më parë.

Fondet e siguruara nga qiradhënia synojnë të mbështesin dhe fuqizojnë institucionet ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe të financojnë projekte për ripërdorimin social të pasurive të konfiskuara.

Përmes këtyre projekteve, asetet e sekuestruara dhe të konfiskuara synohet të kthehen në burime në shërbim të komunitetit dhe interesit publik.

Lini një koment