Smithsonian shtyn ekspozitën “Outwin 2025” të portreteve për shkak të ndërprerjes së financimit federal
Galeria Kombëtare e Portreteve në Uashington ka shtyrë hapjen e ekspozitës prestigjioze të konkursit të portreteve “Outwin 2025: American Portraiture Today”, që pritej të hapte dyert më 18 tetor. Siç njofton Hyperallergic, vendimi vjen në mes të ndërprerjes së zgjatur të financimit federal të qeverisë amerikane dhe frikës se institucioni Smithsonian do të mbetet pa fonde federale.
Artistët e përzgjedhur e morën njoftimin në një letër të 7 tetorit nga drejtori i përkohshëm Elliot Gruber, të ndarë me Hyperallergic-un. Në letër thuhet se do të njoftohet një datë e re për hapjen dhe eventet “pas zgjidhjes së ndërprerjes së financimit”. Ekspozita ishte planifikuar të hapej të shtunën, 18 tetor, dhe të qëndronte e hapur deri në vitin 2026.
Një zëdhënës i muzeut i tha Hyperallergic-ut se vendimi u mor “në mënyrë parandaluese”, për t’u dhënë artistëve dhe pjesëmarrësve kohë për të rimbursuar udhëtimet dhe rezervimet e hoteleve në rast të vonesave. Instalimi i ekspozitës është aktualisht në proces e sipër; nëse muzeu detyrohet të mbyllet, mund të duhet më shumë kohë për ta përfunduar, dhe një datë e re do të caktohet sapo muzeu të rihapet.
Institucioni Smithsonian njoftoi javën e kaluar se ka fonde mjaftueshëm — nga trustet private dhe alokimet federale të vitit të kaluar — për të mbajtur të hapura 21 muzetë dhe kopshtin zoologjik vetëm deri të shtunën, 11 tetor. Gruber zëvendësoi në qershor drejtoren e gjatëvjetme Kim Sajet, e cila dha dorëheqjen pasi presidenti Trump e akuzoi si partiake në llogarinë e tij Truth Social, shkruan Hyperallergic.
Konkursi Outwin Boochever Portrait është ekspozita kryesore trienale e portretit bashkëkohor amerikan në Galerinë Kombëtare të Portreteve dhe konsiderohet një nga ngjarjet më prestigjioze të portreturës në Shtetet e Bashkuara.