E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kombetarja›SOT, ORA 18:00/ Shqipëria e favorizuar për historinë, kreu kalon nga Budapesti me dy rezultate

SOT, ORA 18:00/ Shqipëria e favorizuar për historinë, kreu kalon nga Budapesti me dy rezultate

Kombëtarja shqiptare është vetëm një hap larg përmbushjes së objektivit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, pasi fitorja e grupit tashmë është e sigurt me vetëm një rezultat barazimi përballë Bjellorusisë, që do të zhvillohet sot në orën 18:00 në stadiumin “Illovszky Rudolf” në Budapest të Hungarisë, ku kryen përballjen e vetme.

Kombëtarja e drejtuar nga stafi teknik ka arritur deri tani 12 pikë në Grupin C1. Përballë saj Bjellorusia ka 10 pikë dhe duhet patjetër fitore në këtë përballje për të ruajtur shpresat për ta mbyllur grupin në vendin e parë.

Por pavarësisht se kuqezinjtë kanë dy rezultate në dispozicion, trajneri Rolando Maran, me gjasa, do të kërkojë fitoren. Këtë e ka treguar edhe në konferencën për shtyp që u mbajt një ditë më parë, ku tekniku italian deklaroi se ekipi duhet të luajë për të fituar.

Më tej ai shtoi se në futboll fitorja e grupit kalon gjithmonë përmes fitores në fushë dhe se skuadra duhet të luajë me guxim, duke mos u mjaftuar me barazimin.

Kjo është një ndeshje ku mungesat nuk janë të vogla. Ernest Muçi, autori i golit të fitores kundër Finlandës, është i dëmtuar dhe do të mungojë, ndërsa Ylber Ramadani do të mungojë për shkak të kartonëve.

Megjithatë, Maran ka zgjedhur të mbështetet në lojtarë që kanë luajtur më pak në këtë edicion, si Arbër Hoxha dhe Julian Shehu, të cilët pritet të luajnë nga minuta e parë.

Gjithsesi, historia flet në favor të Shqipërisë, pasi në 8 ndeshjet e fundit kuqezinjtë kanë 4 fitore, 2 barazime dhe vetëm 2 humbje, duke konfirmuar dominimin ndaj Bjellorusisë.

Kështu, gjithçka është gati për duelin e sotëm ku Shqipëria synon të bëjë historinë, pasi për herë të parë në këtë format të Ligës së Kombeve mund të ngjitet në Ligën B me vendin e parë në grup.

Lini një koment