SPAK çon për gjykim dosjen Balluku, 30 të pandehur për shkelje në 10 tenderë
SPAK dërgon sot për gjykim në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) dosjen ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, siç njofton Shqiptarja.com. Kreu i SPAK, Klodian Braho, e konfirmoi dërgimin e dosjes në gjykatë gjatë një komunikimi me gazetarët, duke thënë se kjo mënyrë komunikimi u zgjodh për shkak të kërkesave të shumta për informacion.
Sipas prokurorit të çështjes, Dritan Prençi, hetimet përfshijnë shkelje në 10 procedura tenderimi: shtatë lotet e Unazës së Madhe të Tiranës, Tunelin e Llogarasë, lotin 3 të rrugës Porto Romano–Durrës dhe tenderin për rikonstruksionin e Albcontrolit.
Dosja numëron 30 të pandehur, mes tyre dy shoqëri tregtare, “Alko Impex General Construction” dhe “Eurocol” sh.p.k. Sipas Shqiptarja.com, Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në 9 tenderë, korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.
Mes të pandehurve është edhe Evis Berberi, i akuzuar për shkelje në 9 tenderë, si dhe Gentian Gjyli, Viola Haxhiademi, Ergys Verdho e zyrtarë e biznesmenë të tjerë, me akuza që variojnë nga shpërdorimi i detyrës, te falsifikimi i dokumenteve dhe pastrimi i parave.
Çdo person prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.