Studiues nga Shqipëria dhe Evropa diskutojnë trashëgiminë komuniste dhe kujtesën historike
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, në bashkëpunim me Institutin për Hetimin e Krimeve Komuniste dhe Kujtesën e Mërgimit Rumun, organizon sot, si edhe ditën e nesërme, Konferencën Ndërkombëtare Shkencore mbi trashëgiminë komuniste dhe kujtesën historike.
Konferenca mblodhi studiues, historianë, akademikë dhe ekspertë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të Evropës. Gjatë dy ditëve do të diskutohen tema që lidhen me monumentet dhe hapësirat e kujtesës, muzealizimin e komunizmit, drejtësinë tranzicionale, edukimin dhe kujtesën kolektive.
Në kuadër të aktivitetit u prezantua edhe ekspozita “Traces of War in the Historical Memory of the Communist Regime in Albania”.
Ekspozita ka si synim të ndërgjegjësojë publikun për krimet e komunizmit dhe pasojat e tyre. Ajo ka në fokus disa pllakate të vendosura gjatë regjimit komunist në muret e institucioneve shtetërore të rëndësishme në Tiranë. Pllakatet përkujtojnë dhe nderojnë disa akte të përvetësimit të pasurisë shtetërore, të kryera nga struktura të armatosura komuniste gjatë viteve 1942-1943.
Me anë të këtyre pllakateve, regjimi komunist zgjidhte të përkujtonte ngjarjet më të rëndësishme të luftës për çlirimin e vendit nga pushtimi fashist, por edhe të përcillte te brezat e rinj mesazhin e sakrificës dhe të heroizmit të mishëruar në këto akte vjedhjeje.
Fotografitë e paraqitura në këtë ekspozitë janë realizuar gjatë muajve qershor dhe gusht 2025. Pllakatet e vendosura për të nderuar luftën për çlirimin e vendit përkujtojnë një sjellje njerëzore (vjedhjen) që është dënuar historikisht nga shoqëritë dhe shtetet, përfshirë regjimin komunist shqiptar.