Monday, 5 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Sulejman Delvina, kryeministri shqiptar i zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës

Sulejman Delvina, kryeministri shqiptar i zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës

Më 5 tetor të vitit 1871, në Delvinë, lindi Sulejman Delvina, veprimtar politik, patriot dhe kryeministri i qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës në vitin 1920.

Studimet i filloi në gjimnazin “Zosimea” në Janinë dhe më pas i vazhdoi në Stamboll, ku u përfshi në veprimtarinë politike e kombëtare shqiptare. Ai u angazhua në mbrojtje të çështjes shqiptare dhe të të drejtave të shqiptarëve, duke u bërë një nga zërat e rëndësishëm të kësaj lëvizjeje. Në vitin 1919, komuniteti shqiptar i Stambollit e dërgoi si përfaqësues në Konferencën e Paqes në Paris, ku mbrojti interesat e Shqipërisë.

Një nga momentet më të rëndësishme të veprimtarisë së tij ishte viti 1920, kur Kongresi i Lushnjës e zgjodhi kryeministër. Qeveria e drejtuar prej tij punoi për konsolidimin e themeleve të shtetit shqiptar, shtrirjen e autoritetit të tij në të gjithë vendin dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale. Gjatë Luftës së Vlorës, qeveria e Sulejman Delvinës inicioi dhe mbështeti me të gjitha mundësitë e saj përpjekjet për largimin e trupave italiane nga Vlora. Pas përfundimit të luftimeve, më 2 gusht 1920 u nënshkrua protokolli italo-shqiptar, që lidhej me tërheqjen e trupave italiane dhe respektimin e sovranitetit shqiptar.

Në vitin 1924, Sulejman Delvina mori pjesë në Lëvizjen e Qershorit dhe, në qeverinë e Fan Nolit, shërbeu si ministër i Punëve të Jashtme. Pas rrëzimit të kësaj qeverie, u largua nga Shqipëria dhe qëndroi për disa vite në Evropë si emigrant politik.

Në vitin 1928 u kthye në Shqipëri i sëmurë dhe më 1 gusht 1932 u nda nga jeta në Vlorë.

Lini një koment