E enjte, 19 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Sulmet ruse në Kiev dëmtojnë ambasadat e Holandës dhe Austrisë, ministri Hoxha: Edhe diplomatët shqiptarë u vunë në rrezik

Sulmet ruse në Kiev dëmtojnë ambasadat e Holandës dhe Austrisë, ministri Hoxha: Edhe diplomatët shqiptarë u vunë në rrezik

Sulmet ajrore ruse gjatë natës në Kiev kanë dëmtuar ndërtesat e ambasadave të Holandës dhe të Austrisë në kryeqytetin ukrainas. Sipas autoriteteve ukrainase, nuk ka persona të lënduar, por dëmet janë të konsiderueshme, kryesisht në fasadat dhe dritaret e ndërtesave, përfshirë edhe dëmtimin e arkivit të misionit, siç njofton Shqiptarja.com.

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha reagoi përmes një postimi në rrjetin X, duke theksuar se nga sulmet u vunë në rrezik edhe diplomatët shqiptarë, pasi ndërtesat e ambasadës së Shqipërisë ndodhen në zonën e goditur. “Sulmet ajrore ruse në Kiev kanë shkaktuar dëme serioze në ambasadat e Holandës dhe Austrisë. Edhe diplomatët shqiptarë u vunë në rrezik. Këto sulme shkelin Konventën e Vjenës dhe shpërfillin të drejtën ndërkombëtare. Rusia duhet të mbajë përgjegjësi. Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me Holandën, Austrinë dhe Ukrainën”, shkroi Hoxha.

Ministria e Jashtme e Holandës e cilësoi sulmin të papranueshëm dhe i kërkoi Rusisë të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike. Edhe Ministria e Jashtme e Austrisë shprehu shqetësim dhe kërkoi që Bashkimi Evropian të reagojë me vendosmëri.

Hoxha shtoi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë Ukrainën dhe të mbrojë diplomatët dhe misionet e saj diplomatike.

Lini një koment