Themeluesi i Contemporary Istanbul planifikon një panair të ri në anën aziatike të qytetit
Panairi më i madh i artit bashkëkohor në Turqi, Contemporary Istanbul, përgatitet të zgjerohet në anën aziatike të Stambollit. Themeluesi dhe kryetari i bordit, Ali Güreli, njoftoi se ka plane për të lançuar një panair të ri në atë anë të qytetit, siç njofton The Art Newspaper.
Edicioni i 21-të i panairit u mbajt javën e kaluar në Tersane Istanbul — ish-kantierin detar osman 500-vjeçar në buzë të Bregut të Artë — për të tretin vit radhazi, me rreth 70 ekspozues nga më shumë se 15 vende. Hapësira prej 6.000 metrash katrorë me tavane nëntë metra, e gjithë në një kat të vetëm, i dha panairit një përvojë më të rrjedhshme dhe më të hapur. Fokusi i programit “Dialogues” këtë vit ishte tregu aziatik, me pjesëmarrës si Pearl Lam Projects nga Hong Kongu, Whitestone Gallery nga Tokio dhe Seuli, Method Gallery nga Nju Delhi dhe Silk Art House nga Singapori. Sipas Güreli-t, qytete si Mumbai, Shenzhen, Pekini dhe Seuli “po investojnë shuma të jashtëzakonshme në art dhe kulturë me ndihmën e arkitektëve të njohur”.
Njoftimi tjetër i rëndësishëm është bisedimet me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë për një reformë të taksave mbi artin, të ngjashme me uljen e fundit italiane të taksës për blerjen e veprave të artit në 5%. «Kemi nevojë për stimuj që korporatat të blejnë art», tha Güreli. Panairi ka shpallur edhe kthimin në vitin 2027, në të njëjtën javë me Bienalen e 19-të të Stambollit.
Në këtë edicion debutuan 22 galeri, mes tyre Jessica Silverman nga San Francisko, Galeria Karla Osorio nga Sao Paulo, Galerie Georges-Philippe & Nathalie Vallois dhe Galerie La La Lande nga Parisi, Galerie Tanit nga Bejruti, si dhe Rast Gallery dhe Shiva Zahed nga Stambolli. Nga galeritë e vendosura turke u dalluan Dirimart, Galerie Nev dhe artSümer, ndërsa galeristët vlerësuan “rrjedhën e mirë” të ambientit të ri, i cili lehtësoi shqetësimet nga pasiguritë ekonomike.