Tirana Grand Prix III, tri ditë mes historisë dhe pasionit për automobilizmin
Kryeqyteti mirëpriti për tri ditë radhazi “Tirana Grand Prix III”, eventi më i madh i automobilizmit në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga ky aktivitet që për tri ditë me radhë përcolli historinë, elegancën dhe pasionin e automobilizmit, me koleksionistë dhe të apasionuar nga Shqipëria, rajoni dhe Europa.
“Tirana Grand Prix”, një ngjarje historike për të apasionuarit e automobilave në Shqipëri, nisi në 2 tetor edicionin e tretë, me një ekspozitë të automjeteve RETRO dhe praninë e aktorëve kryesorë të industrisë.
Edicioni i sivjetshëm konfirmoi ambicien për të kthyer Shqipërinë në një pikë referimi për zhvillimet më të fundit të sektorit.
Aktiviteti u shoqërua me muzikë, ndërsa pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitojnë zonat ekspozuese ku paraqiteshin automjete të markave të ndryshme.
Paralelisht me panairin publiku përjetoi një kalendar të ngjeshur ngjarjesh, ku spikati gara “Best Young Driver”, që u zhvillua të premten me pjesëmarrje të të rinjve të apasionuar pas drejtimit, si dhe parada spaktakolare me automjete që vijnë nga Italia për të marrë pjesë në “Tirana Grand Prix”.
Të shtunën u zhvillua gara “Grand Prix”, si dhe një paradë inovative ku markat më të njohura automobilistike prezantuan teknologjitë më të fundit dhe vizionin për automjetet e së ardhmes.
Ndërsa e diela kulmoi me fazën finale të garës, ndarjen e çmimeve dhe paradën përmbyllëse.