E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Tre persona dënohen me nga 7 vjet burgim për trafikim të narkotikëve në Prishtinë, dy të tjerë lirohen nga akuza

Tre persona dënohen me nga 7 vjet burgim për trafikim të narkotikëve në Prishtinë, dy të tjerë lirohen nga akuza

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka shpallur aktgjykimin ndaj pesë të akuzuarve për vepra penale që lidhen me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, si dhe mbajtjen e paautorizuar të armëve.

Sipas njoftimit të gjykatës, të akuzuarit L.T. dhe I.M. janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga shtatë vjet burgim dhe nga 10 mijë euro gjobë, për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.

Ndërkaq, i akuzuari O.V. është dënuar me shtatë vjet burgim dhe 11 mijë euro gjobë, pasi është shpallur fajtor për veprën penale të narkotikëve, si dhe për mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Për më shumë lexoni të plotë aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë:

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale ndaj të akuzuarve L.T., O.V. dhe I.M., të cilët akuzohen se si anëtarë të grupit kanë kryer veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge nga neni 267 par.2 lidhur me nenin 275 par.1 nënpar.1.1 dhe 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kundër të akuzuarve M.H. dhe Sh.D. lidhur me veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge nga neni 267 par.2 lidhur me nenin 275 par.1 nënpar.1.1 dhe 1.9 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndaj të akuzuarit L.T. për veprën penale Mbajtja në pronësi, Kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së dhe ndaj të akuzuarit O.V. për veprën penale Mbajtja në pronësi, Kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të akuzuarit L.T. dhe I.M. janë shpallur fajtor dhe janë dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) vitesh për secilin dhe dënim me gjobë në shumën prej 10.000 (dhjetëmijë) euro për secilin, pasi kanë kryer veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, nga neni 267, paragrafi 2, lidhur me nenin 275, paragrafi 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së. Të akuzuari janë të obliguar që dënimin me gjobë ta paguajnë në afat prej 3 muajsh pas plotfuqishmërisë se këtij aktgjykimi. Në rast të mos pagesës gjykata dënimin me gjobë mund ta zëvendësoj me dënim me burgim. Të akuzuarit L.T. i është refuzuar aktakuza lidhur me veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366, paragrafi 1, të KPRK, për shkak se prokurori i shtetit është tërhequr nga ndjekja penale gjatë shqyrtimit gjyqësor.

I akuzuari O.V. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) vitesh dhe dënim unik me gjobë në shumën prej 11.000 (njëmbëdhjetëmijë) euro pasi ka kryer veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, nga neni 267, paragrafi 2, lidhur me nenin 275, paragrafi 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366, paragrafi 1, i KPRK-së. I akuzuari O.V. është i obliguar që dënimin me gjobë ta paguaj në afat prej 3 muajsh pas plotfuqishmërisë se këtij aktgjykimi.

Në dënimin e shqiptuar me burgim, të akuzuarve ju llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit.

Të akuzuarit M.H. dhe Sh.D. janë liruar nga akuza sepse nuk është provuar se kanë kryer veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, nga neni 267, paragrafi 2, lidhur me nenin 275, paragrafi 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.9, lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

Obligohen të akuzuarit L.T, I.M. dhe O.V. që në emër të paushallit gjyqësor, dhe secili veç e veç, të paguajnë shumën prej 300 (treqind) euro, ndërsa në emër të kompensimit të viktimave të krimit të paguajnë, secili veç e veç, shumën prej 100 (njëqind)€, në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovë, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/

Lini një koment