E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›“Unë vetë kam me vra Albin Shpiunin”, Gjykata ia refuzon pranimin e fajësisë të akuzuarit për kanosjen e Kryeministrit Kurti

“Unë vetë kam me vra Albin Shpiunin”, Gjykata ia refuzon pranimin e fajësisë të akuzuarit për kanosjen e Kryeministrit Kurti

Në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Ismet Mekani pranoi fajësinë për akuzën se ka kanosur Kryeministrin Albin Kurti përmes rrjetit social “TikTok”. Por, ky pranim fajësie iu refuzua nga Gjykata.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Rafet Halimi, i akuzuari Mekani deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Mekani, i cili tha se është ish-ushtar i UÇK-së dhe jeton në Itali, deklaroi se veprën e kreu në gjendje të dehur.

“Unë në atë moment jam provokuar nga si simpatizantët ose nga personat të cilët ishin të lumtur kur u burgosën krerët e UÇK-së. Unë si ushtar i UÇK-së, kur e përmendin aty UÇK-në, e di UÇK-në me përjetime të luftës, me të vërtetë, nuk e kam UÇK veç në uniformë… Edhe në ato momente unë edhe jam kanë nën ndikim të alkoolit, kam humb vetëdijen, çka kam thënë, kam thënë pa vetëdije në ndikim të alkoolit. S’kam pasur ndonjë plan, se unë jetoj në Itali duke punuar atje”, tha i akuzuari Mekani.

Mbrojtësi i të akuzuarit Mekani, avokati Argjend Sefa deklaroi se pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë të vullnetshme dhe konform ligjit, andaj kërkoi nga Gjykata që të akuzuarit kjo t’i merret parasysh jo vetëm në aspektin procedural, por edhe gjatë vlerësimit të rrethanave dhe individualizimit.

Edhe prokurori Halimi deklaroi se e pranon pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Por, gjyqtarja e rastit, Donikë Shala-Abdyli mori aktvendim për refuzimin e pranimit të fajësisë nga i akuzuari Ismet Mekani, me arsyetimin se Gjykata vlerëson se pranimi i fajësisë nuk gjen mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Në përfundim të seancës, gjykatësja Shala-Abdyli njoftoi palët se brenda afatit prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave. Tha se nëse kërkesa nuk pranohet brenda këtij afati, lënda do të kalojë në shqyrtim gjyqësor.

Prezent në sallë ishin prokurori Rafet Halimi, i akuzuari Ismet Mekani me mbrojtësin e tij, avokatin Argjend Sefa. Ndërkaq, i dëmtuari Albin Kurti mungoi në seancë, ndonëse ishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 gusht 2026 nga Prokuroria Speciale, i akuzuari Ismet Mekani akuzohet se më 10 tetor 2024, me dashje dhe me qëllim të frikësimit të personit zyrtar, në lidhje me punën apo me pozitën e tij si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, seriozisht dhe publikisht e ka kanosur tani të dëmtuarin Albin Kurti se do ta privojë nga jeta.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, përmes rrjetit social “TikTok”, nga profili me emrin “Ismet Drenoci”, në kuadër të një postimi lidhur me Terminalin Doganor në Han të Elezit, ka bërë komente me përmbajtje kërcënuese ndaj të dëmtuarit Kurti, me fjalët: “shpijunat duhet mi vra në qendër të Prishtinës” dhe “po une vet kam me vra Albin shpijunin”, si dhe komente të tjera me përmbajtje të ngjashme, me ç’rast, tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetë.

Me këto veprime, i akuzuari Ismet Mekani ngarkohet se ka kryer veprën penale “Kanosja”, nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/

Lini një koment