Vendet e BE-së shtyjnë votimin për heqjen e ndalimit të pulës braziliane, kërkojnë sqarime për antimikrobikët
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian shtynë të martën votimin për heqjen e ndalimit të importeve të pulës braziliane, pasi disa vende kërkuan sqarime të mëtejshme nga Komisioni Evropian për respektimin nga Brazili të rregullave të BE-së për antimikrobikët, siç njofton Euronews.
“Një numër vendesh anëtare kërkuan sqarime të mëtejshme për sistemin e ngritur nga Brazili”, tha zëdhënësja e Komisionit Eva Hrncirova. Ajo shtoi se Komisioni tani do të marrë kohën e nevojshme për t’iu përgjigjur komenteve dhe pyetjeve, para se një takim i ri të zhvillohet në fillim të dhjetorit.
Ndalimi u vendos në shtator, pas një votimi të ekspertëve kombëtarë në maj, për shkak të përdorimit në Brazil të antimikrobikëve për nxitjen e rritjes së kafshëve, dhe mbulon mishin e viçit, shpendët, vezët dhe mjaltin. Megjithatë, një audit i BE-së në fillim të shtatorit e gjeti sistemin brazilian të kontrollit të shpendëve në funksionim efektiv.
Ndalimi zemëroi Brazilinë, sepse erdhi vetëm pak muaj pasi marrëveshja tregtare Mercosur me vendet e Amerikës Latine hyri përkohësisht në fuqi, duke hapur tregtinë e produkteve bujqësore, përfshirë mishin brazilian. Importet e mishit nga Brazili mbeten temë përçarëse brenda BE-së, me disa vende, në krye Francën, kundër marrëveshjes Mercosur, ndërsa fermerët evropianë frikësohen nga konkurrenca me standarde më të ulëta prodhimi.
Për të qetësuar fermerët, marrëveshja parashikon kuota: importet e mishit të viçit kufizohen në 99 mijë tonë në vit me tarifë të ulët 7.5%, sa 1.5% e prodhimit të BE-së, ndërsa ato të shpendëve në 180 mijë tonë, sa 1.3% e prodhimit. Ratifikimi është vonuar pasi Parlamenti Evropian e dërgoi marrëveshjen në Gjykatën e Drejtësisë të BE-së, ndërsa Komisioni vendosi në maj ta zbatojë përkohësisht në pritje të vendimit të gjykatës.