E enjte, 26 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Vijon operacioni “Shkolla të pastra” në Shkodër, arrestohet 25-vjeçari me doza kokaine dhe kanabisi

Vijon operacioni “Shkolla të pastra” në Shkodër, arrestohet 25-vjeçari me doza kokaine dhe kanabisi

Vijon në Shkodër operacioni i koduar “Shkolla të pastra”, në kuadër të të cilit u godit një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike në doza, siç njofton Policia e Shtetit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, arrestuan në flagrancë shtetasin E. H., 25 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar për shitje të lëndëve narkotike në doza.

Sipas njoftimit, 25-vjeçari u kap në afërsi të perimetrit të sigurisë dhe ambienteve të ndryshme në qytetin e Shkodrës, ku dyshohet se qëndronte me qëllim shitjen e dozave të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën këtij shtetasi dhjetëra doza kokaine dhe Cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

Lini një koment