Vunoi pasuri kulturore, Gonxhja: Më shumë qartësi për banorët për rikthimin në përdorim të shtëpive tradicionale
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri sot të ditur se plani i ri i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave synon të ruajë identitetin karakteristik të fshatit Vuno.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja u shpreh se plani synon të krijojë më shumë qartësi për banorët sa i përket mirëmbajtjes, restaurimit dhe rikthimit në përdorim të shtëpive tradicionale.
“Vunoi, fshati piktoresk i shtëpive prej guri mbi Jon dhe rrugicave karakteristike, për të cilin dje, në mbledhjen e qeverisë, miratuam planin e ri për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin”, shkroi Gonxhja.
Sipas ministrit, plani synon të ruajë identitetin karakteristik të fshatit, ndërsa krijon mundësi për rijetëzimin e tij dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit kulturor dhe ekonomisë vendase.
Gonxhja theksoi se nisma pritet t’u japë banorëve më shumë mundësi për ndërhyrjet në banesat tradicionale, duke ruajtur vlerat kulturore dhe arkitekturore të Vunoit.
Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për deklarimin e fshatit Vuno si pasuri kulturore e paluajtshme Qendër historike, si dhe përcaktimin e zonës së saj të mbrojtur.