E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Zgjedhjet vendore 2027, KQZ kërkon bashkëpunim me SPAK, Prokurorinë dhe Policinë për krimet zgjedhore

Zgjedhjet vendore 2027, KQZ kërkon bashkëpunim me SPAK, Prokurorinë dhe Policinë për krimet zgjedhore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke kërkuar bashkëpunim të drejtpërdrejtë me institucionet ligjzbatuese për parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, siç njofton Shqiptarja.com.

KQZ u është drejtuar zyrtarisht SPAK-ut, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke u kërkuar caktimin e personave të kontaktit për koordinimin ndërinstitucional gjatë procesit zgjedhor.

Në shkresën drejtuar kreut të SPAK, Klodian Braho, KQZ sqaron se nisma vjen në zbatim të rekomandimit numër 11 të rezolutës së Kuvendit për vlerësimin e veprimtarisë së institucionit zgjedhor për vitin 2025 dhe rekomandimet për vitin 2026.

Sipas shkresës së KQZ-së, caktimi i personave të kontaktit synon komunikimin e drejtpërdrejtë dhe shkëmbimin e shpejtë të informacionit, me qëllim hartimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin, evidentimin dhe trajtimin e veprave penale që lidhen me procesin zgjedhor.

Tre institucioneve u është lënë afat deri më 23 nëntor 2026 për të përcaktuar personat përgjegjës; nga ana e KQZ-së, person përgjegjës për këtë proces është caktuar Sekretari i Përgjithshëm, Edmond Ahmeti.

Lini një koment