Zi në familjen e deputetit Luçiano Boçi/ Ndahet nga jeta nëna e tij, mesazhi prekës i lamtumirës
Familja e deputetit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, po kalon momente të rënda zie pas ndarjes nga jeta të nënës së tij, Violeta Boçi. Lajmin e hidhur e ka bërë publik vetë ligjvënësi demokrat përmes një dedikimi të ndjerë në rrjetet sociale, ku ka përcjellë dhimbjen e thellë për humbjen e njeriut më të shtrenjtë, duke e kujtuar atë si shtyllën qendrore të familjes, burimin e qetësisë dhe mbështetësen e tij më të zjarrtë në çdo hap të jetës dhe angazhimit politik.
Në mesazhin e tij prekës, Boçi rrëfen se e ëma e priti deri në çastin e fundit për t’i dhënë lamtumirën në heshtje, ashtu siç jetoi gjithë jetën, me mençuri, thjeshtësi fisnike dhe dinjitet. “Do na mungosh kaq shumë ne të gjithëve Violeta jonë e dashur. Ti ishe epiqendra e gjithçkaje dhe qetësia e çdo gjëje për ne. Do më mungosh shumë fansja ime më e madhe politike. Për ty, si për çdo nënë për birin e saj, unë isha më i miri, më i zoti, më i forti. E sa herë ma thoje unë qeshja me mospranim, por me kënaqësinë e dashurisë që më jepje. Por një sekret: pritja jote krenare ishte motivi im”, shkruan deputeti, duke shtuar se kujtimi i saj dhe i babait të tij, Dhimitrit, do të mbetet i gjallë në çdo gëzim e festë familjare.
Sipas njoftimit të bërë publik nga familja, ceremonia e përcjelljes në banesën e fundit do të zhvillohet ditën e nesërme, më 20 nëntor, në orën 11:00, pranë ambienteve të “Prehje në Paqe” (Rita Park), në afërsi të stadiumit “Elbasan Arena”. Ndërkohë, pritjet për ngushëllime pas varrimit do të vijojnë të shtunën dhe të dielën, më 21 dhe 22 nëntor, në sallën e pritjes të Hotel “Skampa” në Elbasan, në fashat orare 08:00–13:00 dhe 15:00–17:00.