10 vjet nga vdekja e Astrit Deharit, sot aktivitete përkujtimore në Prishtinë
Sot bëhen 10 vjet nga vdekja e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, i cili humbi jetën më 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, siç njofton KosovaPress. Dehari ishte 26 vjeçar dhe mbahej në paraburgim nën dyshimet për përfshirje në sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në gusht të atij viti.
Me rastin e këtij përvjetori, gjatë ditës do të organizohen homazhe, konferencë për media, dhurim vullnetar i gjakut, ekspozitë dhe aktivitete të tjera përkujtimore. Aktivitetet nisin në orën 09:30 me homazhe te varri i Astrit Deharit në Zllatar, ndërsa në orën 11:00 familja Dehari dhe avokati Tomë Gashi do të mbajnë konferencë për media para objektit të Prokurorisë Speciale.
Në të njëjtën kohë, në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje do të organizohet dhurimi vullnetar i gjakut, ndërsa në orën 11:30, në Amfiteatrin e Fakultetit të Mjekësisë, do të mbahet bashkëbisedim me brezat e rinj. Në orën 14:00 do të hapet ekspozita ‘Kujtimet e veprimtarisë së Astrit Deharit’, në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje.
Akademia përkujtimore do të mbahet në orën 17:30 në Kino ABC në Prishtinë, ndërsa në orën 18:30 do të ndizen qirinj te murali i Astrit Deharit. Aktivitetet përmbyllen në orën 20:00 me natën përkujtimore ‘Astriti në kujtimet e shokëve dhe shoqeve’.