113-vjetori i lindjes së Petro Markos, jeta dhe vepra e shkrimtarit që doli kundër rrymës
Më 25 nëntor të vitit 1913, në fshatin Dhërmi të Himarës, lindi shkrimtari Petro Marko, një nga emrat e rëndësishëm të letërsisë shqipe.
Pas përfundimit të Shkollës Tregtare të Vlorës, në vitin 1936, kur ishte vetëm 22 vjeç, botoi numrin e parë të së përdyjavshmes letrare “ABC”. Po atë vit, mori pjesë në Luftën Civile të Spanjës, së bashku me një grup prej 40 shqiptarësh, duke u rreshtuar në repartin “Garibaldi” të Brigadave Ndërkombëtare. Në Madrid, në bashkëpunim me Skënder Luarasin, nisi botimin e revistës njëzetfaqëshe në gjuhën shqipe “Vullnetari i Lirisë”, e cila arriti të botohej në vetëm dy numra.
Në vitin 1940, u detyrua të kthehej në atdhe, pas periudhës së mërgimit në Francë. Një vit më vonë, u arrestua nga autoritetet italiane dhe u internua së bashku me 600 të burgosur të tjerë nga vendet ballkanike në ishullin Ustika, në Detin Tirren të Italisë.
Në tetor të vitit 1944, u kthye në Shqipëri si partizan. Pas disa vitesh në detyrën e kryeredaktorit të gazetës “Bashkimi”, në vitin 1947 u arrestua nga regjimi komunist dhe u burgos në Tiranë. Pas rënies së Koçi Xoxes, u lirua dhe iu lejua të punonte si mësues në Tiranë.
Pas botimit të romanit “Një emër në katër rrugë” (Tiranë, 1973), veprat e tij nuk u lejuan të botoheshin për një periudhë tetëvjeçare. Petro Marko u nda nga jeta në Tiranë, më 27 dhjetor 1991.
Ndër veprat e tij më të njohura janë “Hasta la vista” (1958), “Qyteti i fundit” (1960), “Rrugë pa rrugë” (1964) dhe “Nata e Ustikës” (1989). Në mikrobotën e letërsisë shqiptare, Marko cilësohet si shkrimtari kundërrymë, i cili nëpërmjet prozës moderniste arriti të dilte nga caqet uniformizuese të realizmit socialist. Në këtë këndvështrim ai mund të konsiderohet pjesë e radhëve të shkrimtarëve të brezit të humbur, së toku me Ernest Heminguejn dhe Erik Maria Remarkun.
Në nder të 113-vjetorit të lindjes së shkrimtarit, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi një mbrëmje përkujtimore me titull “Rroftë jeta”, ku e pranishme ishte edhe e bija e tij, Arianita Marko.