Sunday, 16 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga Shqiperia21 vatra zjarri në vend, 11 ende active, vijojnë operacionet për shuarjen

21 vatra zjarri në vend, 11 ende active, vijojnë operacionet për shuarjen

21 vatra zjarri janë regjistruar në të gjithë vendin, 11 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 3 janë nën monitorim. Operacionet për shuarjen e flakëve vijojnë në disa qarqe, me angazhimin e forcave zjarrfikëse, Forcave të Armatosura, vullnetarëve dhe strukturave vendore.

Në terren janë angazhuar 387 forca operacionale dhe 23 automjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje janë vendosur 100 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Vatrat kryesore

Në Malin e Dajtit në Tiranë, vijon puna për shuarjen e zjarrit, me mbështetjen e 50 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterëve. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.

Në Vakumonë të Shëngjergjit, operacioni vijon me forcat zjarrfikëse, vullnetarë dhe strukturat vendore. Edhe këtu nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Abaze të Krujës, zjarri mbetet aktiv, por me intensitet të ulët. Në terren janë 2 automjete zjarrfikëse, 24 efektivë, 10 vullnetarë dhe 15 forca të ADZM-së.

Në Gurë-Lurë të Dibrës, operacioni vijon në një perimetër të gjerë, me mbi 200 forca të angazhuara nga strukturat bashkiake, policia, ADZM, MZSH, vullnetarët dhe Forcat e Armatosura. Operacioni mbështetet nga 2 avionë Air Tractor dhe një automjet zjarrfikës i FA-së. Korridoret e hapura kanë penguar avancimin e zjarrit drejt banesave.

Në Qafë Helmes, Dibër/Bulqizë, zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës, ndërsa vijon të jetë aktiv në drejtim të Selishtës. Nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Bruç të Matit, zjarri ka shtrirje të gjerë në një zonë shkëmbore me akses të vështirë. Në operacion janë angazhuar një automjet zjarrfikës dhe 5 efektivë. Nuk ka rrezik për banesa, stane apo blegtori.

Në Lufaj të Mirditës, 20 forca po punojnë për hapjen e korridoreve ndarëse, ndërsa një helikopter mbështet operacionin. Vatra mbetet aktive, por me intensitet më të ulët.

Në Tharri të Mirditës, vatra është nën kontroll dhe vijon puna për shuarjen e plotë.

Në Fushë-Lajë të Pukës, zjarri nuk paraqet intensitet të lartë, pavarësisht përhapjes në sipërfaqe. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Rrjoll të Shkodrës, vatra ndodhet në terren të paarritshëm. Situata po monitorohet dhe është përdorur edhe dron për evidentimin e shtrirjes së zjarrit.

Në Trevllazër të Vlorës, vatra është nën kontroll dhe vijon puna për shuarjen përfundimtare.

Ndërkohë, në Leminot të Maliqit është evidentuar një vatër e re në një sipërfaqe me barishte dhe shkurre. Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për shuarjen e saj.

Operacionet dhe monitorimi i situatës vijojnë në të gjithë territorin, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara në vatrat kryesore.

Lini një koment