25 shtete padisin FEMA-n dhe DHS, duke akuzuar administratën Trump për bllokim të fondeve
Një grup prej 25 shtetesh dhe Distrikti i Kolumbias ka ngritur padi kundër Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA) dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), duke i akuzuar zyrtarët e administratës së Trump se po ndalojnë qindra miliona dollarë nga grantet për përgatitjen ndaj fatkeqësive dhe sigurinë kombëtare me qëllim të detyrojnë miratimin e politikave të reja lidhur me zgjedhjet dhe emigracionin.
Siç raporton CBS News, ankesa sfidon kushtet e reja që duhet të vendosen për përfitimin e fondeve: verifikimin e shtetësisë së votuesve përmes një baze të dhënash federale, kalimin drejt fletëvotimeve me shënim dore, auditime zgjedhore të përcaktuara nga qeveria federale dhe bashkëpunim me zbatimin federal të ligjit për emigracionin.
Shtetet paditëse vlerësojnë se FEMA mund të pezullojë të paktën 20% të shpërblimeve nga Programi i Grantëve të Sigurisë Kombëtare — rreth 148 milionë dollarë për shtetet që ushtruan padi — dhe madje t’i ndërpresë plotësisht disa shpërblime nëse nuk përmbushen kushtet. Fondet e DHS zakonisht mbulojnë mbështetjen për menaxhimin e emergjencave, përfshirë rimbursimin për ekipet e përgjigjes së shpejtë, skuadrat kundër bombave, sigurinë kibernetike, përgjigjen ndaj fatkeqësive dhe sigurinë në vendet e adhurrimit.
Ankesa argumenton se DHS po përdor këto fonde si mjet presioni për të imponuar politika që, sipas palëve paditëse, nuk lidhen drejtpërdrejt me qëllimet e programeve të menaxhimit të emergjencave. Padia kundërshton gjithashtu dispozitat që u japin agjencive fuqinë të anulojnë grantet nëse ato nuk përputhen më me prioritetet e administratës apo me interesin kombëtar, duke bërë që shpërblimet shumëvjeçare të jenë të pasigurta dhe duke u dhënë ekzekutivit mundësinë të ritrajtojë shpenzime të miratuara nga Kongresi.
Avokati i Përgjithshëm i Rhode Island, Peter F. Neronha, i cili po bashkëkryeson çështjen, akuzoi administratën se po rrezikon sigurinë publike duke mbajtur padrejtësisht miliarda dollarë në fonde thelbësore. Përveç Rhode Island, padi u bashkua nga zyrtarë të shteteve: Arizona, California, Colorado, Connecticut, Delaware, Hawaii, Illinois, Maine, Maryland, Massachusetts, Michigan, Minnesota, Nevada, New Jersey, New Mexico, New York, North Carolina, Oregon, Vermont, Virginia, Washington, Wisconsin dhe Distrikti i Kolumbias, si dhe nga guvernatorët e Kentucky dhe Pennsylvania.
Avokatët e shteteve kërkojnë nga një gjykatë federale në Rhode Island që të ndalojë zbatimin e këtyre kushteve, t’i shpallë ato të pavlefshme në të gjithë vendin për palët paditëse dhe t’u kërkojë agjencive që të lëshojnë dokumentacionin e nevojshëm për ndarjen e fondeve. Sipas CBS News, shtetet po kërkojnë gjithashtu masa që të sigurojnë se ndarja e fondeve federale për emergjencat do të mbetet e pandikuar nga ndryshimet e papritura të politikave.