Monday, 22 June 2026
54°F Detroit
BallinaKosova​40 raste me fruth në Kosovë, katër të reja brenda javës

​40 raste me fruth në Kosovë, katër të reja brenda javës

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 22 qershor 2026 janë konfirmuar gjithsej 40 raste me fruth në Kosovë, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar katër raste të reja.

Sipas të dhënave të publikuara nga IKShPK, komuna e Ferizajt vazhdon të ketë numrin më të lartë të rasteve me 11 të infektuar, e ndjekur nga Prishtina me 9 raste dhe Kaçaniku me 6 raste.

Raste të fruthit janë raportuar edhe në Fushë-Kosovë me 3 raste, ndërsa Lipjani, Vushtrria, Shtimja dhe Obiliqi kanë nga 2 raste secila. Nga një rast është regjistruar në Gjilan, Drenas dhe Deçan.

IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që në rast të shfaqjes së simptomave si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqiten sa më shpejt në institucionet shëndetësore.

Instituti ka rikujtuar se fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, duke apeluar te prindërit dhe kujdestarët që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit.

Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Lini një koment