73-vjetori i TKOBAP, foto origjinale nga ATSH në ditën e themelimit
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP) është institucioni më i rëndësishëm kombëtar i artit skenik dhe muzikor në vend.
Një moment themelor në historinë e institucionit shënohet më 27 nëntor 1953, me vënien në skenë të operës së parë, “Rusalka”, të kompozitorit rus Aleksandër Dargomizhsky. Kjo datë konsiderohet dita e themelimit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Në arkivin e ATSH-se gjenden disa fotografi nga kjo ngjarje me rendesi artistike dhe historike.
Por fillesat e TKOBAP nisin në vitin 1950, me krijimin e Filarmonisë Shqiptare. Në përbërje të saj ishin kori i shtetit, orkestra simfonike, solistët lirikë dhe trupa e baletit, duke hedhur themelet e zhvillimit të operës dhe baletit në vend.
Në vitin 1956, me vendim të Këshillit të Ministrave, Teatri Lirik i Operas dhe Baletit u krijua si institucion më vete, ndërsa një vit më pas, në vitin 1957, u themelua Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili më vonë u bë pjesë e institucionit.
Në vitin 1966, TKOB u vendos në godinën e Pallatit të Kulturës në Tiranë, ku vijon aktivitetin e tij. Gjatë dekadave, institucioni ka pasuruar repertorin me vepra të njohura shqiptare dhe botërore, duke shënuar momente të rëndësishme për artin skenik shqiptar. Ndër to veçohen opereta “Agimi” e Kristo Konos (1955), opera e parë shqiptare “Mrika” e Prenkë Jakovës (1959) dhe baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria” i Tish Daisë (1963), me koreografi të Panajot Kanaçit.
Një tjetër etapë e rëndësishme ishte rikonstruksioni i plotë i godinës, i vendosur në vitin 2015. Në mars të vitit 2017, trupat artistike u zhvendosën përkohësisht në ambientet e ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, pranë Ministrisë së Kulturës.
Sot, TKOBAP është një institucion me rreth 250 artistë, pjesë e orkestrës simfonike, korit, trupës së baletit, solistëve lirikë dhe Ansamblit Popullor. Përmes veprimtarisë së tij, ai ruan dhe promovon trashëgiminë muzikore, koreografike dhe folklorike shqiptare, duke e ndërthurur atë me krijimtarinë dhe repertorin ndërkombëtar.