Friday, 14 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaGJERMANI – 1 800 banorë evakuohen për shkak të zjarreve të fuqishëm

GJERMANI – 1 800 banorë evakuohen për shkak të zjarreve të fuqishëm

HURTGENVALD, 14 gusht /ATSH-AFP/ – Rreth 1 800 persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në perëndim të Gjermanisë, pasi një zjarr i fuqishëm pyjor u përhap me shpejtësi pranë zonave të banuara.

Zjarri ka përfshirë një zonë pranë qytetit Hurtgenvald, në landin Nordrhein-Uestfalen, afër kufijve me Belgjikën dhe Holandën.

Flakët u zgjeruan me shpejtësi nga rreth 25 hektarë në 300 hektarë, ndërsa zjarri iu afrua deri në rreth 10 metra banesave më të afërta.

Banorëve iu kërkua të largoheshin gjatë natës dhe të merrnin me vete vetëm sendet më të rëndësishme.

Për ta janë ngritur qendra të përkohshme strehimi në një shkollë dhe një qendër sportive.

Rreth 300 punonjës të shërbimeve të emergjencës janë angazhuar në përpjekjet për shuarjen e zjarrit, me mbështetjen e helikopterëve dhe mjeteve të rënda të ushtrisë gjermane.

Ekipet po hapin korridore mbrojtëse në pyje për të penguar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.

Operacioni është bërë edhe më i rrezikshëm nga municionet e mbetura nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat kanë shpërthyer gjatë përhapjes së zjarrit.

Shpërthimet e dëgjuara gjatë natës kanë kufizuar mundësinë e zjarrfikësve për t’iu afruar disa zonave të prekura.

Banorët kanë përshkruar situatën si alarmante.

Një prej tyre tha se kishte parë kolona të mëdha tymi të zi dhe ishte larguar gjatë natës për t’u strehuar te një i afërm.

Ajo tregoi gjithashtu se në zonë ndihej erë e rëndë dhe se hiri po binte nga qielli.

Ndërkohë, një tjetër zjarr pyjor ka shpërthyer pranë liqenit Mohnesee, gjithashtu në Nordrhein-Uestfalen.

Rreth 100 punonjës të emergjencave arritën ta vinin zjarrin nën kontroll, por temperaturat e larta, thatësira dhe terreni i vështirë vazhdojnë të krijojnë kushte të rrezikshme për përhapjen e flakëve.

Temperaturat priten të arrijnë deri në 39 gradë Celcius, ndërsa vala e të nxehtit do të vazhdojë gjatë fundjavës.

Sipas monitoruesit të ngrohjes globale të BE-së, Evropa Perëndimore ka përjetuar qershorin dhe korrikun më të nxehtë të regjistruar, duke rritur rrezikun e thatësirave dhe zjarreve.

Meteorologët paralajmërojnë se toka është tharë ndjeshëm dhe se nevojiten reshje të vazhdueshme për të rikthyer lagështinë, por një periudhë e tillë shiu nuk duket ende në horizont. /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment