Berisha: Vetëm një front i zgjeruar opozitar mund të përmbysë qeverinë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për bashkimin e forcave opozitare dhe krijimin e një fronti të përbashkët kundër qeverisë.
“Në kushtet e një narkodiktature, në kushtet e një regjimi të tillë, mendoj dhe besoj se është detyrim absolut madhor moral i forcave opozitare të krijojnë një front të përbashkët për përmbysjen e kësaj qeverie. Ne, ju siguroj, kemi qenë, jemi dhe do mbetemi të hapur për këtë. Nuk kemi asnjë pengesë ne. Ne besojmë fort se vetëm një front i zgjeruar opozitar i të gjitha forcave dhe kauzave antiqeveritare mund të bëjë të mundur përmbysjen e kësaj qeverie”, tha Berisha.
Sipas tij, Partia Demokratike është duke u riorganizuar dhe modernizuar, ndërsa ka vendosur të shtrijë këtë proces në të gjitha nivelet e organizimit të saj.
“Shqipëria sot është faktuar, falë qëndresës së PD, luftës së saj, përpjekjeve të mëdha ndërkombëtare të saj, është faktuar një diktaturë autoritare apo autokraci elektorale që nuk bën zgjedhje. Kjo është kryesorja. Plus miliardat e drogës për të mbajtur pushtetin. PD, me gjithë këto, ka marrë disa vendime jashtëzakonisht të rëndësishme, ripërtëritjen e saj dhe është shumë e vendosur ta shtrijë këtë në të gjitha nivelet. Ajo po modernizohet vërtet duke përdorur teknologjinë më të mirë në organizimin e saj. Ka vizionin më të shkëlqyer të përgatitur nga dy fondacionet e mëdha”, theksoi ai.