Rama për median britanike: Zvërneci nuk ndalet, do konsultohemi me palët e interesuara
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar së fundmi një intervistë për median britanike “UnHerd” teksa ka folur lidhur me protestat në Tiranë.
Në intervistën për UnHerd, Rama u shpreh se protestat e sotme janë të nxitura kryesisht nga forca të vogla opozitare, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta ekstreme. Ai vlerësoi protestat e qershorit si më të mëdha teksa theksoi se sipas tij protestat e sotme nuk janë të njëjta me ato të qershorit.
“Protestat e sotme nuk janë protestat e qershorit, kështu që njerëzit që folën sot janë të ndryshëm”, tha Rama.
“Jam shumë, shumë krenar që kemi pasur një protestë kaq të madhe për ditë të tëra në një mënyrë shumë paqësore, dhe se askush nuk u lëndua”, u shpreh kryeministri.
Rama ndër të tjera theksoi se rrjetet sociale dhe algoritmet kanë luajtur rol në mobilizimin e protestuesve.
“Algoritmi bëri shumë për t’i sjellë ato në bulevard. Një përqindje shumë e lartë e përmbajtjes prodhohet jashtë ndërtesës. Nuk është shqiptare”, u shpreh ai.
Rama deklaroi se projekti i Zvërnecit nuk do të ndalet, por qeveria do të zhvillojë një proces konsultimi me palët e interesuara. Sipas tij, në fund projekti do të jetë i suksesshëm dhe “do të jetë i bukur”.
“Nëse kjo nuk do të kishte të bënte me Jared Kushnerin, Trumpin, Ivankën dhe të gjitha llojet e fantazive, kjo nuk do të kishte qenë aq e mirë për algoritmin”, tha Rama.
Kryeministri në intervistë gjithashtu u pyet lidhur me akuzat e opozitës për lidhje mes qeverisë dhe krimit të organizuar. Ai i hodhi poshtë akuzat dhe kundërshtoi kategorikisht edhe përkufizimin e Shqipërisë si “narko-shtet”.
“‘Narko-shtet’, një narko-shtet që filloi të mbyllë kapitujt e negociatave me BE-në? Nuk përputhet në asnjë formë apo formë”, u përgjigj ai.
Lidhur me kritikat e ish-ministres Elisa Spiropali ndaj mënyrës së qeverisjes dhe për mundësinë e përçarjeve brenda Partisë Socialiste, ai nuk pranoi të komentonte, duke e cilësuar këtë si çështje të brendshme të partisë.
Rama gjithashtu në fund të intervistës deklaroi se pas 13 vitesh në krye të shtetit nuk ka më asgjë për ti provuar vetes dhe se tashmë ai ka vendin e tij në historinë e Shqipërisë.
“Dëgjo, jam këtu prej 13 vitesh tani. Pra, kam edhe tre vite. Nuk kam asgjë për t’i provuar vetes. Kam vendin tim në historinë e këtij vendi”, tha ai.