Rama-Veliaj, Zogaj: Kupa ishte mbushur! Në natyrën e liderëve për të bërë shembuj
Në emisionin “Trialog” në RTSH, të moderuar nga gazetarja Alba Alishani, analisti Preç Zogaj ka bërë një analizë të thelluar mbi raportet dhe përplasjet politike brenda Partisë Socialiste, veçanërisht lidhur me temën “Rama vs. Veliaj, fronti i luftës në PS”.
Sipas Zogajt, tensionet mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk janë një zhvillim i papritur, por një proces i gjatë që është konsoliduar përgjatë muajve dhe viteve të fundit përmes ngjarjeve të njëpasnjëshme.
Analisti theksoi se përplasja mes dy personazheve kryesore të mazhorancës ka pasur disa momente kyçe ku mund të shpërthente më herët, por lëvizjet kanë qenë të kontrolluara deri në përshkallëzimin e fundit. Gjatë fjalës së tij, Zogaj rikujtoi ecurinë e zhvillimeve institucionale dhe politike:
“Marrëdhënia midis Ramës dhe Veliajt ka qenë e minuar përgjatë kohës me lloj-lloj ngjarjesh e episodesh. Rama i ka lënë gjërat që të shkojnë ashtu siç shkuan për Veliajn. Rama e shkarkoi Veliajn, urdhëroi Këshillin Bashkiak që ta shkarkonte, Veliaj e ka fituar në gjykatë të drejtën për t’u rikthyer kryetar bashkie, pastaj pas disa kohësh Veliaj vendosi të merrte frenat e bashkisë nga burgu duke shkarkuar nënkryetaren e disa të tjerë aty, për të treguar se ‘unë jam dhe unë e kam këtë pushtet’.”
Transferimi i Veliajt
Lidhur me lëvizjet e fundit rreth trajtimit të Veliajt dhe transferimit të tij nga një ambient izolimi në tjetrin, Zogaj e cilësoi këtë veprim më shumë si një “ndëshkim” se sa një procedurë të zakonshme administrative.
Sipas tij, detajet e bëra publike nga mbrojtja ligjore e Veliajt dhe vizitat e zyrtarëve të kabinetit qeveritar tregojnë se kemi të bëjmë me mesazhe të qarta politike. Zogaj nënvizoi se lëvizja pa njoftim paraprak dhe përdorimi i mjeteve të transportit të sigurisë dëshmon një qasje ndëshkuese. Analisti u shpreh se vizitat e zyrtarëve të lartë qeveritarë te vendi i izolimit të Veliajt kanë shërbyer si komunikime të drejtpërdrejta nga kryeministri.
Disiplina e brendshme dhe mesazhi për linjën e partisë
Në pjesën përmbyllëse të analizës së tij, Preç Zogaj argumentoi se reagimi i ashpër i Ramës nuk lidhet vetëm me një episod apo deklaratë të caktuar, por përbën një akt force për të konsoliduar autoritetin e tij të plotë brenda strukturave të Partisë Socialiste.
Zogaj e krahasoi menaxhimin e mendimit ndryshe brenda PS-së me disiplinimin e rreptë politik, duke përmendur se edhe figura me besnikëri të gjatë si Erion Braçe janë përballur me paralajmërime sa herë që kanë mbajtur qëndrime jashtë linjës zyrtare.
“Keni parë ndonjëherë që kur ka ardhur Rama që një mendim ndryshe të vlerësohet apo të promovohet? Rama ka ardhur natyrshëm tek ai vendimi që merr një lider i një partie homogjene, ku është njëshi dhe s’ka tjetër, që duhet të bëjë një akt force. E ka jo vetëm për Veliajn, e ka dhe për partinë, e ka dhe për kundërshtarët jashtë partisë. Do të tregojë që: unë jo vetëm përballoj ato që më vijnë nga pala kundërshtare, por unë tani përballoj dhe luftërat e brendshme.”
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.