Monday, 17 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaProtesta nuk është restorant

Protesta nuk është restorant

Nga THOMA GËLLÇI

Ka një mënyrë shumë të rehatshme për ta gjykuar një protestë: sa njerëz dolën, sa zhurmë pati, sa të rinj ishin, kush foli, çfarë parulle u përsërit, nëse programi ishte interesant, nëse pati ndonjë risi dhe nëse publiku u mërzit. Sipas kësaj logjike, protesta duhet të prodhojë çdo mbrëmje diçka të re, përndryshe humbet audiencën.

Por protesta nuk është restorant ku klienti kthehet vetëm po ndryshoi menuja. Nuk është as “talent show”, as serial televiziv që duhet të shpikë çdo javë një episod të ri. Protesta ekziston për shkak të problemeve që e kanë nxjerrë në shesh. Sehirxhinjve, pas më tepër se dy muajve, protesta mund të mos u duket aq interesante sa ditën e parë. Por pyetja që del nuk është sa interesante është protesta, po a janë zgjidhur problemet për të cilat ajo nisi?

Deri tani, jo. Pushteti qëndron i vendosur që të mos dëgjojë asgjë, t’i përgjigjet me Besën dhe Praninë besnike, apo ta shfrytëzojë për të treguar para botës një fasadë demokratike të vendit.

Sistemi politik shqiptar vazhdon të jetë ndërtuar në mënyrë të tillë që qytetari voton, por zgjedh mes emrave që ia kanë zgjedhur të tjerët. Partitë kontrollohen nga kryetarët, listat kontrollohen nga kryetarët dhe pjesa më e madhe e deputetëve e dinë se karriera e tyre politike varet më shumë nga marrëdhënia me kryetarin e partisë sesa nga marrëdhënia me zgjedhësin.

Atëherë duhet bërë një matje tjetër, shumë më serioze se numri i njerëzve në bulevard: Sa për qind e shqiptarëve duan që ky sistem të vazhdojë kështu? Sa prej tyre mendojnë se deputetët duhet të vazhdojnë të emërohen nga kryetarët e partive dhe zgjedhjet të shërbejnë vetëm për të vulosur listat e përgatitura më parë?

Sa shqiptarë mendojnë se një kryeministër, ministër, kryetar partie, deputet, kryetar bashkie apo drejtues tjetër politik duhet të mund të qëndrojë në të njëjtën pozitë për aq kohë sa arrin të kontrollojë partinë dhe pushtetin? A e ka marrë njeri mendimin e shqiptarëve për një nga kërkesat e protestës për vendosjen e limiteve kohore për një njeri që të qëndrojë në pushtet? Dhe sa do të ishin dakord që mandati i funksioneve kryesore politike të kishte kufij të qartë?

Këto janë dy nga kërkesat e protestës dhe nuk është për diskutim spektakli, numri, parullat apo nëse u zunë dy protestues apo dy grupe protestuesish me njëri-tjetrin.

Në këtë listë është edhe kërkesa për një qeveri kujdestare përpara zgjedhjeve të përgjithshme. Mund të jesh dakord ose jo me modelin konkret, por problemi që ngrihet është real: si mund të garojnë në kushte të barabarta pushteti dhe kundërshtarët e tij? E dimë që njëra palë kontrollon administratën, ministritë, investimet publike, punësimet, aktivitetet shtetërore dhe gjithë fuqinë e aparatit ekzekutiv dhe kur edhe organizmat ndërkombëtarë e kanë certifikuar përdorimin e paligjshëm të kësaj administrate?

Në Shqipëri kjo nuk është një bisedë teorike. Është një debat që përsëritet në çdo palë zgjedhje. Vende të ndryshme, si Maqedonia fqinje p.sh., e ka zgjidhur këtë, e ka vendosur në ligj që gjashtë muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme vendi të qeveriset nga një qeveri kujdestare. Është gjëja më e natyrshme kur në vend mbretëron një frymë e thellë mosbesimi midis partive politike dhe kur ka prova të shumta të përdorimit të pushtetit për të fituar zgjedhjet.

E njëjta gjë vlen për projektet e mëdha të zhvillimit. Sa shqiptarë do të ishin kundër një rregulli shumë të thjeshtë: që komunitetet e prekura nga një projekt të dëgjohen përpara se projekti të miratohet? Jo pasi vendimi është marrë, jo pasi kontratat janë firmosur dhe jo pasi fadromat janë nisur, por përpara.

Nëse një projekt prek pronën, mjedisin, jetën ekonomike dhe të ardhmen e një komuniteti, konsultimi nuk duhet të jetë dekor procedural. Duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes.

Këto janë disa nga çështjet që protesta ka futur në debat. Asnjëra nuk bëhet më pak e rëndësishme sepse një folës përsëriti të njëjtën parullë dy net radhazi. Asnjëra nuk zhduket sepse në shesh një mbrëmje pati më pak njerëz. Dhe asnjëra nuk zgjidhet duke numëruar flamujt, gratë në rreshtin e parë, fëmijët në skenë apo makinat e diasporës.

Mund të kritikohen të gjitha këto. Madje duhet të kritikohen. Protesta nuk është e përjashtuar nga kritika. Mund të ketë folës të dobët, parulla të këqija, teprime, folklor politik, njerëz që kërkojnë mikrofon pa pasur asgjë për të thënë dhe tentativa të partive për ta përdorur për interesat e tyre.

Por kjo është një bisedë tjetër.

Një protestë mund të jetë e organizuar keq dhe të ngrejë një problem të drejtë. Mund të ketë një fjalim të dobët dhe një kërkesë të fortë. Mund të ketë një parullë naive dhe një çështje serioze politike.

Si zgjidhen deputetët? Sa duhet të zgjasë pushteti? Si garantohet barazia në zgjedhje? Si kontrollohet përdorimi i administratës? Si përfshihen qytetarët në vendimet që prekin pronën dhe jetën e tyre? Sa pushtet duhet të ketë një njeri dhe sa institucione duhet ta kontrollojnë atë? Këtu është protesta. Dhe kjo është ajo që përfshijnë fjalët “revolucion” dhe “Shqipëri e re”.

Protesta mund të jetë më e madhe sot dhe më e vogël nesër. Mund të ketë një ditë mijëra njerëz dhe një ditë tjetër vetëm disa qindra. Mund të ketë periudha entuziazmi dhe periudha lodhjeje. Kjo është normale për çdo lëvizje që zgjat. Por problemet nuk maten me temperaturën e turmës.

Edhe sikur kjo protestë të mbyllej nesër, gjë që nuk ka gjasa të ndodhë, asnjë nga arsyet që e sollën nuk do të zhdukej bashkë me mikrofonin dhe podiumin.

Ato do të mbeteshin aty.

Do të mbetej sistemi i listave. Do të mbetej përqendrimi i pushtetit. Do të mbetej debati për kufizimin e mandateve. Do të mbetej problemi i përdorimit të shtetit gjatë zgjedhjeve. Do të mbetej mungesa e konsultimit real me komunitetet. Do të mbetej mosbesimi ndaj mënyrës se si funksionon politika shqiptare. Do të mbetej trajtimi i shtetit si privat.

Protesta nuk ka detyrë të na argëtojë. Nuk ka detyrë të ndërrojë menu çdo javë dhe as të na servirë një specialitet të ri politik çdo mbrëmje. Detyra e saj është të mbajë hapur një debat që pushteti do të preferonte ta quante të mbyllur.

Dhe për sa kohë problemet janë ende aty, protesta është aty, çdo ditë dhe më e madhe.

Lini një koment