LONDËR – Burnham mbështet Ukrainën pas kërcënimit të Moskës për përdorimin e dronëve britanikë
LONDËR, 18 gusht /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik Andy Burnham tha se Londra po vazhdon të mbështesë plotësisht Ukrainën, pasi Moska kërcënoi me pasoja për përdorimin e raportuar të dronëve britanikë në sulme në thellësi të territorit rus.
Rusia akuzoi Britaninë e Madhe se po përshkallëzon qëllimisht konfliktin dhe deklaroi se, sa më e thellë të bëhet përfshirja britanike, “aq më i lartë do të jetë çmimi që do të paguajë”.
Gjatë një vizite në terminalin e autobusëve në Wolverhampton, Burnham u pyet se cili ishte mesazhi i tij për presidentin rus Vladimir Putin, në përgjigje të kërcënimit.
“Kjo është Britania e Madhe që po bën atë që ka thënë prej kohësh se do të bëjë, që është të mbështesë Ukrainën 100% kundër kësaj lufte të paligjshme të udhëhequr nga Vladimir Putin”, tha ai.
“Ne po ofrojmë mbështetje në mënyrë që Ukraina të mund të mbrohet dhe ky ka qenë qëndrimi britanik gjatë gjithë këtij konflikti, edhe nga kryeministrat e mëparshëm. Ky qëndrim mbetet i pandryshuar edhe me mua”, shtoi Burnham.
“Ne nuk jemi miq vetëm në kohë të mira. Do të jemi pranë Ukrainës në orën e saj të nevojës dhe kjo nuk do të ndryshojë”, vazhdoi kryeministri britanik.
Sipas një raportimi të “Sunday Times”, Ukraina ka përdorur dronë të prodhuar nga dy kompani britanike si pjesë e një fushate të ashtuquajtur “deep strike”, pra sulme me rreze të gjatë në territorin e Rusisë.
Kievi ka intensifikuar këtë vit sulmet ndaj Rusisë, duke përdorur raketa me rreze të gjatë dhe tufa dronësh që gjithnjë e më shumë kanë goditur industrinë ushtarake dhe objektet energjetike.
Ukraina ka goditur gjithashtu depo gjigante të “Wildberries”, kompanisë më të madhe ruse të shitjeve online, duke shkaktuar djegie të mallrave dhe duke e sjellë luftën më pranë publikut rus, më shumë se katër vjet pas fillimit të pushtimit në shkallë të gjerë nga Moska.
Ambasada ruse në Britanin[ e Madhe deklaroi të hënën se raportimet “konfirmojnë se Londra po zgjedh qëllimisht përshkallëzimin e krizës në Ukrainë” dhe akuzoi Britaninë se po përpiqet të frenojë Rusinë dhe t’i shkaktojë asaj dëme maksimale “nëpërmjet një pale ndërmjetëse”.
“Veprimet e Londrës në mënyrë të pashmangshme do të sjellin pasoja, për të cilat ajo do të duhet të përgjigjet”, thuhej në deklaratë.
“Sa më e thellë të jetë përfshirja e saj në konflikt dhe sa më e madhe të jetë mbështetja e saj për makinerinë terroriste të Kievit, aq më i lartë do të jetë çmimi që ajo do të paguajë” përfundoi deklarata. /Ad.Ab./ a.jor.