FOKUS – Shkatërrohet skema ndërkombëtare e mashtrimit me investimet, shtatë të arrestuar
Në vitin 2022, një çift gjerman iu drejtua autoriteteve me një kallëzim, pasi kishte investuar kursimet e tij përmes një platforme online dhe nuk arrinte të tërhiqte fitimet e pretenduara. Ky kallëzim çoi në nisjen e një hetimi, i cili zbuloi një skemë ndërkombëtare që kishte në shënjestër viktima në mbarë botën.
Autorët e mashtrimit premtonin fitime të jashtëzakonshme brenda një kohe të shkurtër përmes investimeve në kriptomonedha, valuta të huaja dhe aksione. Pasi viktimat transferonin një shumë të vogël parash, atyre u shfaqeshin fitime të fryra, duke krijuar përshtypjen se platforma ishte e ligjshme.
Më pas, personat që paraqiteshin si ndërmjetës ushtronin presion psikologjik ndaj viktimave, duke i bindur të investonin shuma gjithnjë e më të mëdha. Kur këta të fundit kërkonin të tërhiqnin fitimet, mashtruesit përdornin taktika të ndryshme vonese për të penguar pagesat. Në fund, autorët zhdukeshin dhe viktimat kuptonin se kishin humbur paratë.
Arrestimi i të dyshuarve
Pas më shumë se katër vitesh hetime, një operacion i parë ndërkombëtar çoi në dy arrestime dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme provash materiale.
Pas analizimit të provave të mbledhura, hetuesit identifikuan shtatë të dyshuar të tjerë, përfshirë drejtuesit e qendrave të telefonatave që përdoreshin për të bindur viktimat të investonin shuma të tjera parash.
Autoritetet organizuan një tjetër ditë aksioni ndërkombëtar, gjatë së cilës u arrestuan persona të tjerë dhe u sekuestruan prova materiale dhe para.
Provat e mbledhura gjatë këtij operacioni çuan në ndërhyrjen e sotme. Analiza e tyre zbuloi një kompani me bazë në Qipro dhe Izrael, e cila dyshohet se ofronte shërbime të ashtuquajtura ”krim si shërbim” (”crime as- service”), duke furnizuar grupe të ndryshme kriminale me faqe interneti mashtruese për realizimin e skemave të mashtrimit online.
Autoritetet identifikuan gjithashtu klientë të dyshuar të kësaj kompanie në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilët dyshohet se administronin qendra telefonike mashtruese.
Operacioni kishte në shënjestër këta persona dhe serverët e përdorur për aktivitetet e tyre kriminale. Në total, autoritetet kontrolluan 17 ambiente, përfshirë një qendër telefonike në Kosovë. U sekuestruan më shumë se 100 serverë, si dhe prova dhe pasuri të tjera.
Shtatë persona u arrestuan me qëllim dorëzimin ose ekstradimin e tyre në Gjermani.
Bashkëpunimi ndërkombëtar
Bashkëpunimi ndërkombëtar ka qenë thelbësor për çmontimin e kësaj skeme mashtrimi, me Eurojust dhe Europol në qendër të operacionit që nga fillimi i tij.
Eurojust mbështeti ekzekutimin e disa Urdhrave Evropianë të Hetimit, Urdhrave Evropianë të Arrestimit dhe urdhrave të ngrirjes së pasurive. Agjencia siguroi bashkëpunimin mes vendeve të ndryshme gjatë hetimit, shkëmbimin e informacionit, përcaktimin e strategjive dhe planifikimin e operacioneve të përbashkëta.
Pranë Eurojust u ngritën dy ekipe të përbashkëta hetimore: njëri përfshinte autoritetet gjermane, polake dhe shqiptare, ndërsa tjetri autoritetet shqiptare dhe kosovare.
Projekti i Drejtësisë Penale për Ballkanin Perëndimor mbështeti ekipin e përbashkët hetimor mes autoriteteve shqiptare dhe kosovare.
Gjatë ditës së sotme të operacionit, Eurojust koordinoi të gjitha veprimet gjyqësore nga selia e saj në Hagë.
Nga ana tjetër, Europol ofroi analiza të zgjeruara, krahasoi të dhënat me bazat e tij të informacionit dhe bashkoi hetuesit kombëtarë për përgatitjen e operacionit të përbashkët.
Gjatë ditës së aksionit, Europol dërgoi ekspertët e tij në Shqipëri dhe Kosovë për të mbështetur punën e ekspertizës digjitale dhe për të kryer verifikime të menjëhershme në bazat e të dhënave të agjencisë.
Posta e Komandës Virtuale e Europol mbështeti koordinimin e ndërhyrjes.
Operacioni u zhvillua nga autoritetet e mëposhtme:
- Gjermani Prokuroria pranë Gjykatës Rajonale të Itzehoe, Departamenti për Luftën kundër Krimit Kibernetik; Zyra Shtetërore e Hetimit Kriminal e Schleswig-Holstein.
- Qipro Policia e Qipros.
- Finlandë Byroja Kombëtare e Hetimit.
- Shqipëri Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK); Byroja Kombëtare e Hetimit; Policia e Shtetit.
- Izrael Policia e Izraelit – Njësia Kombëtare e Krimit Kibernetik Lahav 433 dhe Njësia e Ndihmës Ligjore – Dega e Inteligjencës.
- Kosovë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës; Policia e Kosovës – Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori i Hetimeve Financiare.
- Maqedonia e Veriut Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit; Ministria e Punëve të Brendshme, Byroja për Siguri Publike – Departamenti për Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda./ a.jor.